PRISHTINË, 25 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në Prishtinë delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përkatësisht Nënkomisionin për Mbrojtjen Transatlantike dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë.
"Pata një takim të frytshëm me një delegacion të lartë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s", bën të ditur ai.
"Kosova tashmë ka shpallur formimin e Forcave të Armatosura dhe presim konstituimin e Kuvendit që të vazhdojmë me hapat e mëtejshëm. Falënderova NATO-n për hapin historik të konfirmimit të Kosovës si anëtare vëzhguese e saj, hap ky që shënon edhe fillimin e një ndërveprimi zyrtar mes Kosovës dhe organizatës Atlantike. Hapi i ardhshëm - Partneriteti për Paqe!", shkruan Thaçi në Facebook.
Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Nënkomisioni për Mbrojtjen Transatlantike dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, kryesuar nga Sverre Myrli, kryetar, po qëndron sot në Kosovë, ku u prit edhe nga kryetari i Kuvendit të Republikës, Jakup Krasniqi./k.s/