Veprimtar politik nga Skenderaj, Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu janë tre personat e identifikuar pas analizave të ADN-së disa javë pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.

Të tre këtë persona bënin pjesë në ‘Grupin e Intelektualeve’ shqiptarë që u rrëmbyen dhe u zhdukën nga forcat serbe në vitin 1999.

Idriz Rrecaj, i dekoruar më 2019 si “Hero i Kosovës”, ishte veprimtar politik, i cili së bashku me 22 persona të tjerë shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, u zhduk në kohën kur lufta e forcave serbe në Kosovë ishte intensifikuar.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se ishin identifikuar tre viktimat e para të varrezave masive të zbuluara në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut gati dy muaj më parë.

Sipas Kurtit, raportet e ADN-së kishin konfirmuar se tre viktimat i përkasin grupit të njohur si “grupi i intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Por Kurti nuk i përmendi emrat e tre viktimave që ishin identifikuar nga autoritetet në Kosovë.