PRISHTINË - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, së bashku me kreun e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar dhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë përuruar vendosjen e masave të Efiçiencës së Energjisë në shkollën "8 Marsi" në Pejë.
Me këtë rast, ministri Ismajli ka pohuar se gjenerimi i energjisë nuk do të jetë çështje sfiduese në të ardhmen, por shfrytëzim më i mirë i energjisë së gjeneruar, prandaj sipas tij, efiçienca e energjisë është edhe burimi më alternativ i energjisë më i lirë dhe njëkohësisht më i besueshmi.
"Komisionit Evropian i jemi mirënjohës për financimin e këtij projekti, që është një përkrahje e vlefshme me anë të së cilës do të ndihmohet drejt arritjes së caqeve të kursimit të energjisë sipas direktivave të BE-së ", eshte shprehur Ismajli, sipas një njoftim të MZHE-së.
Nga ana e tij, shefi BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se deri më tani janë përzgjedhur 63 shkolla në tërë Kosovën për të instaluar masat e efiçiencës së energjisë. "Mendoj se kemi bërë një punë të mirë dhe në këtë shkollë kemi kombinuar dy gjëra, në njërën anë mjedisin dhe në anën tjetër zhvillimin, pra i kemi kombinuar që të dyja ekonominë dhe mjedisin", ka thënë Zhbogar.
Ndërsa kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, theksoi se vendosja e masave të efiçiencës së energjisë është e rëndësishme e në veçanti vendosja e këtyre masave në shkolla. /ATSh/