Kostoja e futjes në listën e të dyshuarve për terrorizëm nga SHBA

Kostoja e futjes në listën e të dyshuarve për terrorizëm nga SHBA

Ëndrra amerikane e Mirrakhmat Muminovit u shkatërrua në një rrugë të mbuluar me dëborë pranë qytetit Great Falls në Montana.

Në dhjetor të vitit 2009, Muminov, atëherë 30 vjeç, ishte një refugjat që kishte ikur nga persekutimi në Uzbekistan. Ai sapo kishte marrë statusin e banorit të përhershëm të Shteteve të Bashkuara, kartën e gjelbër dhe kishte blerë një kamion për të transportuar makina nga SHBA në kufirin kanadez. Ai mendonte se kishte gjetur lirinë dhe mundësi të mira në vendin e tij të ri.

Por ndërsa priste jashtë një qendre shërbimi, ai u ndalua nga agjentët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, të cilët e prangosën dhe e dërguan në një qendër në Great Falls.

Ai u vendos në një dhomë të vogël me dritare të nxira dhe u mor në pyetje mbi të kaluarën e tij, besimin dhe xhaminë e tij.

Kush je ti? A je mysliman i sektit shia apo suni? A flet arabisht? A kupton arabisht? A të pëlqen Amerika?

Pas më shumë se katër orësh të marrjes në pyetje, agjentët e liruan zotin Muminov pa asnjë akuzë, duke thënë vetëm se ai ishte ndaluar rastësisht.

Zoti Muminov u ndje sikur ishte kthyer në Uzbekistan, ku forcat e sigurisë ndalonin shpesh myslimanë të devotshëm dhe aktivistë politikë si ai.

I tronditur nga përvoja e tij, zoti Muminov kërkoi ndihmë nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike.

"E shohim vazhdimisht në të gjithë vendin atë që ju ka ndodhur juve", i kishte thënë atij avokati i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike.

Më pas, avokati tha një gjë që ai nuk e priste.

"Ju jeni padyshim në listën e personave nën vëzhgim", deklaroi avokati.


Zoti Muminov mbeti i shtangur. Ai ishte verifikuar plotësisht përpara se të lejohej të emigronte në Shtetet e Bashkuara tre vjet më parë.

Ai mendoi se duhet të jetë një gabim dhe ishte i sigurt se mund ta rregullonte këtë me ndihmën e një avokati.

Por shfajësimi doli më i vështirë nga sa e imagjinonte. Pas vendosjes në listën e vëzhgimit, ishte pothuajse e pamundur të dilje. Nuk kishte asnjë proces ankimimi.

I paralajmëruar nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, ai u përgatit për probleme me zyrtarë të sigurisë në aeroporte dhe pika kufitare. Ky ishte çmimi i të qenit në listën e personave nën vëzhgim.

Ai nuk e dinte se ky ishte vetëm fillimi i një beteje të gjatë dhe të dhimbshme që do t'i përmbyste jetën dhe përfundimisht do ta detyronte atë të merrte një vendim të vështirë për t'u zhvendosur jashtë vendit të cilin e donte.

Për më shumë se një dekadë, zoti Muminov u përball me pengesa të shumta ndërsa u përpoq të bëhej shtetas amerikan, t'i siguronte gruas së tij një kartë jeshile dhe të sillte nënën e tij të ve në Amerikë.


"Fatkeqësisht", thotë ai, "të gjitha ankthet e mia filluan disa vjet pasi mbërrita në Amerikë".

Të dyshuarit për terrorizëm


Përveç disa detajeve të saj, historia e zotit Muminov është e jashtëzakonshme. Ai pasqyron përvojën e mijëra të tjerëve të përfshirë nga një sistem kontrolli që FBI e vlerëson me mbajtjen e vendit të sigurt, por që kritikët e shohin si një mjet antikushtetues që fut në grackë myslimanët e pafajshëm.

Lista e personave nën vëzhgim, e cila e krijua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, përmban më shumë se 1.5 milionë emra të "terroristëve të njohur ose të dyshuar", duke përfshirë rreth 15000 qytetarë dhe banorë të përhershëm të Shteteve të Bashkuara. Një analizë e Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike zbuloi se 98 për qind e emrave në listë janë emra myslimanë si Mohamed dhe Ali.

FBI thotë se vë në listë vetëm “njerëz të dyshuar me arsye për terrorizëm” bazuar në “kritere specifike të lidhura me burime të shërbimeve të zbulimit”.

“Individët nuk përfshihen në listë vetëm bazuar në racën, përkatësinë etnike, origjinën kombëtare, përkatësinë fetare ose ndonjë aktivitet të mbrojtur nga Amendamenti i Parë”, tha FBI në përgjigje të një liste pyetjesh nga Zëri i Amerikës.
Por agjencitë e sigurisë nuk rrezikojnë.

"Kur duhet marrë një vendim për këtë çështje zakonisht vendoset për vendosjen e dikujt në listë edhe nëse ka dyshime mbi burimin", thotë Jeffrey Kahn, një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë dhe profesor i juridikut në Universitetin Metodist të Jugut, i cili ka shkruar gjerësisht për listën e personave nën vëzhgim.

Kjo do të thotë se çdokush mund të futet në listë bazuar në lidhjen më të dobët me terrorizmin, nga postimi i një komenti të dyshimtë në rrjetet sociale deri tek lidhjet ose dyshimet për lidhje me dikë që tashmë është në listë. Një version i zbuluar së fundmi i Listës së Personave që u ndalohet fluturimi, ka edhe një nëngrup të listës më të madhe të personave nën vëzhgim, që përmban emra fëmijësh deri në 10 vjeç.

Shumica e njerëzve zbulojnë se janë në këtë listë në një aeroport kur u lëshohet një kartë e vulosur me inicialet "SSSS", që nënkupton kontroll të posaçëm sigurie.

Ata kontrollohen dhe pyeten tërësisht përpara se të lejohen të hipin në avion. Por problemet e tyre nuk mbarojnë me kaq.

Për shkak se FBI e ndan listën me mijëra subjekte jashtë qeverisë federale, nga institucionet financiare deri te departamentet e policisë lokale, njerëzit mund të preken në mënyra të papritura.

Disave u janë mbyllur llogaritë bankare. Të tjerët janë bllokuar nga transferimi i parave për të afërmit në vendet e tyre. Një burri nga Masaçusetsi iu mohua leja për armë. Zoti Muminov nuk arriti të merrte një kartë identiteti nga qeveria federale, që u jep shoferëve qasje në zonat e sigurta të porteve detare.

Por shumë emigrantë të tjerë si zoti Muminov përballen me një realitet tjetër të ashpër: vonesa me vite ose refuzime të aplikimeve të tyre për shtetësi, ndryshime të statusit të imigracionit dhe refuzim të vizave për të afërmit e tyre.

Pasojat ndëshkuese mund të shtrihen tek miqtë dhe familjarët që kërkojnë viza për në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet e fundit, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike dhe grupe të tjera të të drejtave civile kanë paditur vazhdimisht FBI-në dhe agjencitë e tjera federale në emër të myslimanëve amerikanë, që janë vendosur në listën e personave nën vëzhgim. Strategjia ka ndihmuar, që një pjesë e vogël e njerëzve të hiqen nga lista.

Zoti Muminov nuk ka patur fat. Ai është pjesë e një padie kolektive të vitit 2018 që është ende në pritje në gjykatën federale në Merilend.

Në shtator, kur u bënë 20 vjet nga krijimi i listës së personave nën vëzhgim, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike ngriti një padi të re kolektive në Boston në emër të dhjetëra amerikanëve të besimit mysliman, që janë në listën e personave nën vëzhgim, duke akuzuar qeverinë federale se i dënoi ata "me shtetësi të përjetshme të klasit të dytë".

Ashtu si zoti Muminov, disa paditës të përmendur në padi janë përballur me vështirësi nga autoritetet e imigracionit.
Ahmad Mirzay, një banor i përhershëm i Shteteve të Bashkuara nga Afganistani që nga viti 1999, dy herë ka marrë përgjigje negative pas aplikimit për shtetësinë amerikane për shkak të statusit të tij në listën e personave nën vëzhgim.

Nusratillah Abdukhamidov, një shtetas uzbek dhe banor i përhershëm i Shteteve të Bashkuara, i është nënshtruar një "procedimi administrativ" me afat të pacaktuar për nënshtetësinë, një zhargon i qeverisë për një kontroll të biografisë.

Talha Mohamed, një udhëheqës xhamie dhe azilkërkues nga Egjipti, pretendon se Departamenti i Shtetit i refuzoi vizat nënës së tij dhe ia hoqi vizën njërit prej miqve të tij.

Padia kërkon që qeveria të reformojë "sistemin e listës së personave nën vëzhgim për të eliminuar diskriminimin në bazë të identitetit mysliman dhe praktikimit të fesë".

Disa agjenci të përmendura në padi nuk pranuan të komentonin kur u kontaktuan nga Zëri i Amerikës.

Ndërsa kritikë si Sindikata Amerikane për Liritë Civile e dënojnë listën e personave nën vëzhgim duke e konsideruar atë një "fyerje ndaj kushtetutës", shumë ligjvënës e shohin atë si një mjet të dobishëm të sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike.

Republikanët duan që agjentët kufitarë të përdorin listën për të ndaluar kalimin e terroristëve të dyshuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa demokratët duan që njerëzve në listë t’u ndalohet blerja e armëve, duke argumentuar se kjo do të parandalonte të vrasjet në masë dhe terrorizmin brenda vendit.


'Musliman i moderuar dhe modern'


Muminov thotë se jeta e tij është një libër i hapur për FBI-në. I lindur në vitin 1979 kur Uzbekistani ishte ende një republikë sovjetike, ai u rrit në një familje laike që shikonte filma amerikanë dhe ëndërronte të vizitonte Shtetet e Bashkuara.
Por pas pavarësisë së Uzbekistanit në vitin 1991, Muminov, si shumë uzbekë të rinj, iu drejtua fesë, duke u lutur pesë herë në ditë.
Për autoritetet, ai akt i thjeshtë i devotshmërisë ishte një shenjë negative. Nga frika e një pushtimi islamik, qeveria e Presidentit Islam Karimov, një ish-udhëheqës sovjetik, goditi fenë, duke krijuar një listë të myslimanëve të devotshëm.

“Nëse falem pesë herë në ditë, ata më quajnë një person fetar, por ata nuk e dinë se ka 1 miliard njerëz që falen pesë herë në ditë”, thotë zoti Muminov.

Një mik i vjetër uzbek e konsideron zotin Muminov një "mysliman të moderuar dhe modern".

"Nëse do të mendoja se ai ishte një ekstremist, nëse do ta shihja si të rrezikshëm, nuk do t'i afrohesha", tha shoku, i cili e njeh zotin Muminov për 20 vjet.

Por besimi i zotit Muminov nuk ishte arsyeja e vetme për problemet e tij. Ndërsa ishte student, ai filloi të ndiqte klerikun karizmatik Obidkhon Qori Nazarov.

Zoti Muminov thotë se kleriku Nazarov mbrojti demokracinë dhe kundërshtoi terrorizmin, por qeveria e Presidentit Karimov e shihte atë si një kërcënim, duke e ndaluar atë të drejtonte shërbime dhe tubime fetare dhe përfundimisht duke e detyruar atë të jetonte në mërgim.

Zoti Muminov u pëqendrua tek feja, duke u shprehur në postime në internet dhe intervista për mediat e huaja kundër politikave shtypëse të qeverisë së Presidentit Karimov.

Aktivizmi i Muminov e bëri atë armik të shtetit. Ai thotë se u përjashtua nga një program doktorature dhe u arrestua disa herë, një herë kur u përpoq të ikte në Kazakistanin fqinj në vitin 2004.

“Më torturuan për gati tre ditë”, thotë ai.

I arrestuar përsëri në fund të atij viti, ai thotë iku nga policia "me vetëm 50 dollarë në xhep", duke u bashkuar me disa dhjetëra disidentë të tjerë që jetonin në mërgim në Kazakistan.

Ai ishte 24 vjeç dhe një aktivist i njohur. Gjatë dy viteve të ardhshme, agjencia e OKB-së për refugjatët në Kazakistan ndihmoi në sistemimin e disa dhjetëra uzbekëve disidentë në vendet perëndimore. Zotit Muminov iu dhanë disa opsione. Pa asnjë mëdyshje, ai zgjodhi Shtetet e Bashkuara, vendin e ëndrrave të fëmijërisë së tij. 

“Isha shumë i lumtur kur ambasada më tha se mund të më dërgonin në Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Muminov.

Por përpara se të nisej për në Shtetet e Bashkuara në vitin 2006, ai u mor në pyetje për orë të tëra nga zyrtarët e refugjatëve dhe të konsullatës. 

"Unë u dhashë atyre gjithë historinë e jetës sime", thotë ai.

Ëndrra amerikane

Me ndihmën e një agjencie për sistemimin e refugjatëve, Mirrakhmat Muminov u zhvendos në qytetin Akron, të Ohajos, ku u mirëprit nga një komunitet i vogël refugjatësh uzbekë.

Për të siguruar jetesën, ai bënte çdo lloj pune që mund të gjente, fillimisht punoi si pastrues në xhaminë lokale, pastaj si teknik kondicienrerësh për McDonald's në Uashington.

Por së shpejti ai zbuloi një ëndërr të re, të kishte një kamion dhe të lëvizte në të gjithë vendin.

Ai mori një periudhë të gjatë pushimi në vitin 2008, kur bëri një kurs për drejtimin e kamionëve, në Filadelfia dhe mori patentën, një lloj patente e shumë e lakmuar në mesin e emigrantëve uzbekë.

Pasi u kthye ngs Ohajo, një vit më vonë, ai bleu kamionin e tij dhe doli punonte si shofer pavarur.

Ai themeloi UNI Trans, një kompani kamionësh që punëson rreth 130 shoferë, shumë prej të cilëve i përkasin diasporës uzbeke.

"Amerika është me fat që e ka," tha Abdurashid Yakubov, një refugjat uzbek. “Ai po ndihmon njerëzit pranë tij. Ai po hap vende pune.”

"Gjatë COVID-it, ne ishim në vijën e parë për të punuar për popullin amerikan," thotë ai. “Isha shumë krenar për këtë.”

Mirrakhmat Muminov thotë me krenari se nuk ka patur nevojë për ndihmën e qeverisë, përveç se muajit të parë, qëkurse u zhvendos në SHBA.

"Kam punuar përherë," tha ai.

Ai po bënte një jetë të mirë. Por edhe pse drejtonte një biznesi të suksesshëm, në zemër ai mbeti aktivist, një kritik i hapur i shtypjes në Uzbekistan.

Në videot të ndryshme që postonte në media sociale, ai shpesh sulmonte klerikët që mbështesnin qeverinë uzbeke, por që nuk përkrahnin demokracinë.

"Ne vijmë për t’u falur në këtë xhami," tha një anëtar i komunitetit uzbek në qytetin Akron, të Ohajos. "Ai po flet për imamët që punojnë për qeverinë."

Anëtari i komunitetit, i cili foli në kushte anonimiteti, dyshon se të folurit hapur nga ana e Mirrakhmat Muminovit mund të ketë qenë shkak për përfshirje të tij në listën e vëzhgimit të FBI-së.

Vetë Muminov mbron aktivizmin e tij.

"Pasioni i zotit Muminov për demokracinë e bën atë të flasë kundër udhëheqësve dhe forcave që ai shqetësohet se po godasin lirinë dhe po nxisin autoritarizmin,” tha avokatja e CAIR, Hannah Mullen.



Pyetje, pa përgjigje

Pas ndalimit të tij në Great Falls, Mirrakhmat Muminovi pyeti Departamentin Amerikan të Sigurisë Kombëtare për të zbuluar se përse ishte ndaluar, por mori një përgjigje të thatë.

"Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS TRIP) nuk mund të konfirmojë dhe as mohojë asnjë informacion rreth faktit se jeni pjesë e së vëzhgimit ose të zbulojë ndonjë informacion të ndjeshëm mbi raportet me ligjin," shkruhej në përgjigje.

Por dyshimet se ai ishte vendosur në listën e vëzhgimit, u zhdukën kur ai u arrestua përsëri në 2013, këtë herë ndërsa kthehej nga një udhëtim pune në Kanada.

Agjentët i bënë të njëjtat pyetje që i ishin bërë në vitin 2009. Zoti Muminov donte të dinte se përse po merrej në pyetje, por ai nuk mori përgjigje.

"Isha shumë i dëshpëruar," thotë ai. "Edhe në Uzbekistan, që konsiderohet një vend diktator, mund të pyesësh, përse po ndalohem dhe çfarë po më bëni".

Por, kjo nuk ndodh, nëse je në listën e vëzhgimit në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë viteve, zoti Muminov ka paraqitur kërkesa të shumta në Departamentin Amerikan të Sigurisë Kombëtare. Por kur u bë e qartë se “nuk po kishin asnjë ndikim në trajtimin e tij, nuk dërgoi më”, thotë avokatja Mullen.

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Avokatët e imigracionit dhe ekspertët e sigurisë, të intervistuar nga Zëri i Amerikës, thonë se zoti Muminov mund të jetë në listë për një sërë arsyesh.

"Mund të ndodhë që ai te ketë emër të njëjtë me një terrorist të dyshuar," tha Jordan Strauss, drejtor në firmën e sigurisë Kroll.

"Ndoshta ka qene me ndonjë shok, i ka dhënë telefonin, dhe ky shok mund të ketë telefonuar dike që ka qenë në vëzhgim," shton zoti Strauss, një ish-prokuror federal.

Avokatja Mullen ka një teori tjetër. Sipas saj, njerëzit si zoti Muminov ka të ngjarë të përzgjidhen nga algoritmet kompjuterike që përdor qeveria për të analizuar lëvizjen e njerëzve, demografinë dhe tregues të tjerë të dyshimtë.

"Duket shumë e mundshme që shumë prej këtyre proceseve të jenë të automatizuara," tha zonja Mullen.

Refuzimi i aplikimit

Cilado qoftë arsyeja, të qenit në listën e vëzhgimit, e përndoqi sërish.

Në vitin 2011, pas pesë vitesh qëndrimi në SHBA, zoti Muminov arriti një moment historik: Ai u kualifikua për marrjen e shtetësisë.

Ai e dinte se ishte në listën e vëzhgimit, por kjo nuk e pengoi atë të aplikonte. Ai punësoi një avokat për ta ndihmuar atë të paraqiste një kërkesë për të fituar shtetësinë amerikane me natyralizim. Pesë muaj më vonë, ai u thirr për një intervistë. Ai kaloi testin e nënshtetësisë dhe priti lajme të mira.

Por, mori lajme të këqija. Kërkesa e tij u refuzua, pasi ai nuk kishte deklaruar një adresë të përkohshme në Pensilvani që e kishte përdorur për të marrë patentën si shofer.

Qeveria e akuzoi atë për "dëshmi të rreme" dhe "mashtrim", duke treguar "mungesë morali".

Por, avokati i ri i imigracionit të zotit Muminov, kishte dyshime për arsyen e vërtetë. Sipas tij, zoti Munimov, kishte të ngjarë të ishte viktimë e programit CARRP, i krijuar në 2008, për të parandaluar që njerëzit "që paraqesin shqetësim për sigurinë kombëtare", duke përfshirë ata që janë në listën e vëzhgimit, të kenë përfitime si marrja e shtetësisë.

Zotit Muminovi iu desh të priste edhe pesë vite të tjera për të riaplikuar ndërkohë që qeveria e mbante nën vëzhgim. Por çështja e tij ngeci përsëri pasi një sulm terrorist vdekjeprurës nga një refugjat uzbek në Nju Jork e vuri komunitetin uzbek nën mbikyqrjen e organeve të zbatimit të ligjit.

Zoti Muminov e njihte autorin e sulmit, Saypullo Saipov dhe dha intervista në media për ta denoncuar. Më pas ai u takua me agjentë të FBI-së në Cleveland dhe u tregoi atyre gjithçka që dinte.

Ai mendonte se po përmbushte detyrën e ti si qytetar. Por ai ndjeu se qeveria e ndëshkoi duke vonuar çështjen e tij.

“Ai u ndje vërtet i tradhtuar,” thotë avokati i tij, Nimer.

Ai nuk ishte i vetmi. Disa refugjatë të tjerë uzbekë me bazë në Ohajo që kontaktuan FBI-në përjetuan vonesa të ngjashme, sipas avokatit Nimer dhe aktivistëve uzbeko-amerikanë.

FBI-ja nuk iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me situatën.

Avokati Nimer paditi zyrën amerikane të emigracionit në gjykatën federale. Gjykata e rrëzoi padinë, por qeveria u dorëzua pas apelimit të çështjes.

Zoti Muminov u thirr për një intervistë dhe mori "letrën e tij të natyralizimit nga zoti Trump", kujton vetë ai duke qeshur.

Ishte mars 2019.

"U riktheva ë jetë," thotë ai. “Kishte ndodhur një mrekulli kishte. Nuk e besova.”

Viza të refuzuara

Zoti Muminov e vlerësonte faktin që kishte shtetësi amerikane, por një gjë e tillë nuk e ndihmoi me problemet e vizave dhe të emigracionit që hasën nëna dhe gruaja e tij.

Nëna e tij, Fazila Muminova, e kishte vizituar disa herë atë më parë në Shtetet e Bashkuara, por më pas Ambasada e SHBA-së në Tashkent nuk ia dha më vizën e vizitorit.

“Një herë, iu dha viza, por iu anulua të nesërmen”, thotë zotiMuminov.

Ai mendon se arsyeja ishte statusi i tij në listën e vëzhgimit. Avokatët e imigracionit thonë se të afërmit e individëve të përfshirë në listën e të vëzhguarve shpesh përballen me refuzim vizash.

Zoti Muminov thotë se nëna e tij donte vetëm ta vizitonte atë dhe familjen e tij. Por me shpresa të humbura se ajo do të mund të merrte një vizë vizitori, ai provoi një tjetër mundësi si shtetas: aplikimin e saj për kartën e gjelbër, ose si banore e përhershme. Peticioni i tij u miratua shpejt, por Ambasada e SHBA në Tashkent ka ndërprerë ecurinë e aplikimit të saj për momentin, thotç ai.

Ai nuk e ka idenë se kur dhe nëse ajo do të marrë vizë.

“Sa herë telefonojmë ambasadën, ata na thonë të kontaktojmë Departamentin e Shtetit në Uashington,” thotë zoti Muminov. Kur Departamenti lidhet me ambasadën, përgjigja është: "Nuk mund t'ju japim përgjigje."

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi rastin e saj. Zoti Muminov nuk i tregoi kurrë nënës së tij se ishte përfshirë në listën e të vëzhguarve dhe se një gjë e tillë mund të kishte ndikuar në përpjekjet e saj për të marrë një vizë për në SHBA.

"Ajo ka një problem me zemrën," tha ai. “Nëse ia përmend këto probleme, ndoshta do të mendojë se jam dhe unë mes njerëzve të këqij, si në Uzbekistan.”

Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Nargiza Abdullaeva, ka ngecur në një rrjet më vete burokracie, ndërsa përpiqej të merrte kartën e gjelbër. Çifti u takua dhe u martua pasi zoti Muminov mbërriti në Akron në vitin 2006. Ajo ishte studente në Misuri. Zoti Muminov paraqiti një kërkesë që ajo të merrte kartën e gjelbër, por asaj iu refuzua kjo kërkesë.

Duke u përballur me dëbimin e mundshëm nga SHBA, avokati i saj e këshilloi atë të aplikonte për azil. Por zyrtarët e imigracionit vazhduan ta pengonin çështjen e saj, sipas zotit Muminovit.

“Ata jepnin arsye të ndryshme sa herë që ajo aplikonte,” kujton ai. “I thoshin eja përsëri pas tre, katër apo pesë vjetësh.”

Në vitin 2019, Muminov mori shtetësinë dhe kjo i dha shpresë familjes, pasi ai mund të bënte kërkesë për një kartë të gjelbër për gruan e tij. Ai bëri një kërkesë. Ajo u thirr për një intervistë, por më pas heshtje.

“Nuk kemi shpresë”, thotë Muminov. "Pritëm një kohë të gjatë." Abdullaeva ka aplikuar për një dokument udhëtimi, por edhe kjo iu refuzua.

"Ata mbajtën peng familjen time," tha zoti Muminov. Agjencia e imigracionit, USCIS nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi rastin e Abdullaevas.

Jetë e re në Dubai

Zoti Muminov arriti në një pikë kur humbi çdo shpresë. Kështu në vitin 2022, ai së bashku me familjen u transferua në Dubai. Por edhe kur u larguan, atyre iu desh t’i nënshtroheshin një poshtërimi të fundit në aeroportin Dulles të Uashingtonit.

Si zakonisht, kartat e tyre të imbarkimit ishin të vulosura me SSSS.

“Ata morën të katër fëmijët e mi dhe kontrolluan gjithçka,” tha ai. "Ata kontrolluan fletoret e tyre dhe madje kontrolluan [librat] e tyre për fëmijë për të parë se çfarë kishin brenda."

“Kjo është për të ardhur keq. Çfarë të keqë i kam bërë këtij vendi?” Zoti Muminov kurrë nuk u tha fëmijëve të tij për statusin e tij në listën e vëzhgimit.

Ai thotë se u ka mësuar atyre se "ky është një vend i mrekullueshëm" dhe ai dëshiron që ata ta duan Amerikën.

“Gjithmonë u them, ‘Është një gabim. Një gabim i qeverisë”, thotë zoti Muminov. "Herë tjetër, nuk do të ndodhë."

Gjithsesi për momentin, ai ka gjetur qetësi në Dubai. Ai ka biznesin e tij atje, megjithëse shpesh udhëton në SHBA për punë dhe ende u nënshtrohet kontrolleve shtesë të sigurisë. Fëmijët e tij ndjekin shkollën amerikane atje. Nëna e tij mund t'i vizitojë nga Uzbekistani. Dhe ai ndihet si në shtëpinë e tij mes myslimanëve të tjerë.

“Dua të shijoj pak paqe dhe harmoni këtu”, thotë ai nga Dubai.

I pyetur nëse do ta gjente këtë paqe në Shtetet e Bashkuara, ai përgjigjet:

“Jo tani. Më parë dua të fitoj këtë padi të rimarr … të drejtat e mia, të garantoj mbrojtjen time. Pastaj, sigurisht që do të kthehemi.”/VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?