Në muajt e parë të vitit, Shqipëria kishte energji për të shitur. Në verë, po paguan 41.5 milionë euro për ta importuar të paktën deri tani. Kjo kthesë nuk është e pazakontë. Ajo është përsëritur ndër vite, pasi varësia e prodhimit vendas të energjisë nga reshjet dhe prurjet hidrike mbetet e lartë. Këtë herë po ndodh ndërsa kërkesa për energji po rritet nga temperaturat e larta dhe fluksi turistik.
Në të njëjtën kohë, stuhitë dhe breshëri kanë dëmtuar prodhimin bujqësor, ndërsa çmimet e perimeve u rritën me 8.5% në qershor, pikërisht në kulmin e sezonit vendas.
Emëruesi i përbashkët është një mot më i nxehtë dhe më i paqëndrueshëm. El Niño është pjesë e këtij sfondi, por jo një shpjegim i vetëm për çdo valë të nxehti, stuhi apo rritje çmimesh.
“El Niño ndikon në klimën globale, por ndikimi i tij në Mesdhe dhe në Shqipëri nuk është i drejtpërdrejtë”, thotë Anira Gjoni, eksperte në Departamentin e Meteorologjisë në Institutin e Gjeoshkencave.
Sipas saj, kushtet meteorologjike në vend përcaktohen kryesisht nga sistemet atmosferike që zhvillohen mbi Atlantik, Mesdhe dhe Europë, si dhe nga qarkullimi rajonal i masave ajrore. Këto sisteme mund ta përforcojnë, ta ndryshojnë ose ta zbusin sinjalin e lidhur me El Niño-n.
Kjo e bën të vështirë ndarjen e efektit të fenomenit nga prirja më afatgjatë e ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ndikimi ekonomik i temperaturave mbi normalen dhe i reshjeve gjithnjë e më të çrregullta po bëhet më i matshëm.
Konsumi rekord ndryshon bilancin e energjisë
Gjatë disa javëve të qershorit, temperaturat në Shqipëri ishin 3 deri në 6 gradë Celsius mbi mesataren shumëvjeçare. Vendi ndodhej në periferi të valës së të nxehtit që goditi më fort Europën Perëndimore dhe Qendrore, por anomalitë ishin të mjaftueshme për të shtuar presionin mbi sistemin energjetik.
“Rritja e temperaturave në vendin tonë ishte 3–6 gradë mbi mesataren shumëvjeçare gjatë javëve përkatëse të qershorit”, thotë Gjoni.
Ajo shpjegon se episodet me temperatura të larta u favorizuan nga depërtimi i masave shumë të ngrohta me origjinë subtropikale nga Afrika e Veriut. Sipas saj, këto kushte lidhen kryesisht me konfigurimin atmosferik mbi Mesdhe dhe jo me një ndikim të drejtpërdrejtë të El Niño-s.
Konsumi ditor i energjisë arriti kulmin në rreth 25 mijë megavat-orë gjatë qershorit, sipas Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rritja ishte 13.9%.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, konsumi arriti në 4.4 milionë megavat-orë, nga 4.1 milionë një vit më parë, me një rritje prej rreth 10%.
Temperaturat e larta dhe shtimi i aktivitetit turistik po rrisin përdorimin e kondicionimit dhe ngarkesën në rrjet. Mbi 1 mijë punonjës janë vendosur në gatishmëri për sezonin veror, ndërsa 136 grupe janë shpërndarë në terren për t’iu përgjigjur defekteve dhe për të shmangur ndërprerjet.
Por kostoja kryesore nuk qëndron vetëm te mirëmbajtja e rrjetit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kontraktuar 331,200 megavat-orë energji për periudhën nga 1 korriku deri më 30 shtator. Çmimi mesatar i ponderuar ishte 125.47 euro për megavat-orë, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës arriti në rreth 41.5 milionë euro.
Vetëm pak muaj më parë, situata ishte e kundërt. Prurjet e larta në kaskadën e Drinit i mundësuan KESH-it të prodhonte më shumë energji sesa kërkonte tregu vendas. Nga janari deri në prill, kompania shiti 456,945 megavat-orë, duke arkëtuar rreth 33.15 milionë euro, përfshirë TVSH-në.
Një goditje e dyfishtë për bujqësinë
Në bujqësi, rreziku nuk lidhet vetëm me thatësirën. Ai vjen edhe nga kalimi i shpejtë prej periudhave pa reshje në stuhi të shkurtra dhe intensive. “Periudhat më të gjata të thata, të ndërprera nga episode të shkurtra me reshje intensive, janë një nga skenarët më të mundshëm”, thotë znj. Gjoni.
Sipas saj, në kushtet e temperaturave më të larta, atmosfera ka aftësi të mbajë më shumë avull uji. Kjo mund të favorizojë reshje të përqendruara në intervale të shkurtra, duke rritur rrezikun e vërshimeve të shpejta dhe të përmbytjeve urbane.
Për muajt korrik dhe gusht, parashikimet nuk tregojnë një prirje të fortë që reshjet të jenë dukshëm mbi ose nën normalen klimatike. Ato pritet të mbeten të pabarabarta në kohë dhe hapësirë, me intervale të thata të ndërprera nga episode lokale.
“Besueshmëria e parashikimeve sezonale është më e lartë për temperaturën sesa për reshjet”, thotë Gjoni.
Ky kombinim është veçanërisht i kushtueshëm për fermerët. Periudhat e nxehta rrisin nevojën për ujitje dhe kostot e prodhimit. Stuhitë mund ta dëmtojnë prodhimin brenda pak minutash, shpesh në prag të korrjes. Në fillim të korrikut, breshëri goditi parcelat me grurë, elb dhe qepë në fushën e Maliqit.
Fermerët raportuan humbje të konsiderueshme dhe, në disa raste, dëmtimin e më shumë se gjysmës së prodhimit. Në zonat e Elbasanit u dëmtuan pemë frutore, vreshta dhe kultura të tjera.
Në Zavalinë, raportimet nga terreni flisnin për dëme të rënda në prodhimin e mollëve, kumbullave dhe rrushit.
Në Kolonjë u prekën vreshtat. Stuhitë sollën humbje edhe në blegtori. Një rrufe vrau 150 krerë bagëti në një fermë në Delvinë, ndërsa në zonën e Maliqit një tjetër goditje vrau rreth 30 dele dhe dhi. Nuk ka ende një bilanc të plotë financiar për këto ngjarje. Megjithatë, për fermat e vogla, humbja e një prodhimi sezonal ose e një tufe bagëtish mund të zhdukë të ardhurat e të gjithë vitit.
Rreziku është më i lartë sepse prodhimi nuk është i siguruar dhe kostoja mbetet te fermeri ose zhvendoset te buxheti publik përmes kërkesave për kompensim në ato raste kur gjykohet e arsyeshme.
Çmimet rriten në kulmin e ofertës
Goditjet mbi prodhimin po ndodhin në një periudhë kur çmimet e perimeve tashmë po shfaqin rritje të fortë. Sipas INSTAT-it, grupi “Perime, zarzavate dhe bishtajore” u shtrenjtua me 8.5% në qershor krahasuar me një vit më parë. Norma ishte pothuajse trefishi i inflacionit mesatar të ushqimeve, prej 3%.
Rritja është e pazakontë për një muaj që përkon me kulmin e prodhimit të shumë kulturave vendase. Në kushte normale, shtimi i ofertës sezonale do të duhej të ulte çmimet. Këtë herë ndodhi e kundërta. Moti nuk është faktori i vetëm.
Eksportet, kostot e transportit, mungesa e fuqisë punëtore, struktura e tregtimit dhe marzhet e ndërmjetësve ndikojnë gjithashtu te çmimi final. Gjithsesi temperaturat e larta, nevoja për më shumë ujitje dhe dëmet nga breshëri krijojnë presion shtesë mbi prodhimin.
I nxehti ndez edhe faturën e zjarreve
Në korrik, AKMC raportoi operacione për përballimin e 16 vatrave të zjarrit të shpërndara në disa qarqe të vendit. Në Shëngjin, më 13 korrik, flakët kërkuan angazhimin e shtatë mjeteve zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe ndërhyrjen e një helikopteri ushtarak.
Agjencia raportoi edhe operacione në zona të tjera, përfshirë fshatin Klos, duke treguar se rreziku nuk ishte i kufizuar në një vatër të vetme. Nxehtësia e zgjatur dhe tharja e bimësisë e bëjnë zjarrin më të shpejtë, më të kushtueshëm dhe më të vështirë për t’u izoluar.
Në zona turistik kostoja shkon përtej sipërfaqeve të djegura. Ajo prek bizneset, sezonin turistik dhe financat publike, pasi çdo operacion kërkon personel, mjete, karburant dhe, në rastet më të rënda, mbështetje nga ajri dhe kjo është parë qartazi viteve të fundit kur sipërfaqe të mëdha në breg të detit janë përfshirë nga zjarret.
Shkaku fillestar mund të jetë njerëzor, por temperaturat më të larta shumëfishojnë pasojat. Sa më gjatë të zgjasë i nxehti, aq më shumë zjarret kalojnë nga episode sezonale në një rrezik ekonomik të përsëritur ccdo vit.
El Niño nuk është i vetmi shkaktar
“El Niño dhe ndryshimet klimatike janë dy procese të ndryshme që veprojnë njëkohësisht”, thotë Gjoni. El Niño është një fenomen natyror, ciklik dhe i përkohshëm, i cili ndikon te variabiliteti i klimës nga një vit në tjetrin. Ndryshimet klimatike përfaqësojnë një prirje afatgjatë të rritjes së temperaturave, të lidhur kryesisht me shtimin e gazeve serrë në atmosferë.
“Temperaturat e larta që po regjistrohen nuk mund t’i atribuohen vetëm El Niño-s”, thotë ekspertja. “Ai mund ta përforcojë përkohësisht ngrohjen, por vepron mbi një klimë që tashmë po ngrohet.”
Edhe parashikimet janë më të sigurta për temperaturat sesa për reshjet. Temperaturat pritet të mbeten mbi mesataret shumëvjeçare gjatë muajve në vijim, ndërsa për reshjet nuk ka një sinjal të qartë nëse do të jenë mbi apo nën normalen. Ato mund të mbeten të pabarabarta në kohë dhe territor.
Kjo pasiguri ka koston e vet. Kompanitë energjetike duhet të sigurojnë importe përpara se të dinë me saktësi si do të ndryshojnë prurjet. Fermerët duhet të investojnë në ujitje, edhe pse prodhimi mund të goditet më pas nga breshëri. Bashkitë duhet të përgatiten njëkohësisht për mungesë uji, zjarre dhe përmbytje të shpejta.
El Niño mund të kalojë. Ekspozimi ekonomik i vendit ndaj nxehtësisë dhe motit ekstrem do të mbetet. Në fund, fatura nuk matet vetëm me gradë Celsius. Ajo shfaqet në milionë euro importe energjie, në prodhimin e humbur në ara dhe në perimet që kushtojnë më shumë në treg.
Çfarë është El Niño
El Niño është një fenomen natyror që ndodh kur ujërat e Paqësorit tropikal ngrohen më shumë se zakonisht. Kjo ngrohje ndryshon erërat dhe reshjet, duke ndikuar motin në shumë pjesë të botës.
Në disa vende mund të sjellë thatësirë dhe temperatura më të larta, ndërsa në të tjera reshje të forta dhe përmbytje. Në Shqipëri, ndikimi i tij është zakonisht indirekt dhe ndërthuret me kushtet atmosferike të Mesdheut dhe Europës./ Monitor
Komente





