Rreth 50 milionë njerëz ka të ngjarë të shkojnë drejt urisë akute përpara fundit të vitit të ardhshëm për shkak të zhvillimit të shpejtë të fenomenit klimatik El Niño, sipas parashikimeve.

Ky numër i shtohet qindra milionë njerëzve që tashmë përballen me nivele të rrezikshme urie, si pasojë e viteve të thatësirës në disa pjesë të Afrikës dhe presionit mbi çmimet e ushqimeve të shkaktuar nga lufta në Iran.

Edhe nëse El Niño rezulton më pak i fuqishëm sesa parashikojnë disa modele klimatike, ai pritet të përkeqësojë ndjeshëm situatën në shumë vende, duke shtuar me më shumë se një të pestën numrin prej 225 milionë njerëzish në 45 shtete që aktualisht përballen me pasiguri akute ushqimore, paralajmëroi sot Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së.

Sipas analizës, Amerika Qendrore dhe Jugore, Karaibet dhe Afrika Jugore pritet të jenë rajonet më të goditura. Ndërsa në Azinë Jugore dhe Juglindore pritet të ketë më pak reshje se zakonisht, gjë që do të krijojë probleme serioze për bujqësinë dhe fermerët.

El Niño i këtij viti po formësohet si më i fuqishmi në të paktën 70 vitet e fundit. Disa ekspertë e kanë cilësuar si një "super El Niño", megjithëse ky term nuk njihet zyrtarisht.

Ajo që është e sigurt është se intensiteti dhe pasojat e tij po ndikohen ndjeshëm nga kriza klimatike. Më herët këtë vit, ekspertët paralajmëruan se një El Niño i fortë, në kombinim me ngrohjen globale, mund të sjellë vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, qoftë këtë vit ose, më shumë gjasa, në vitin 2027.

Parashikuesit e sektorit privat kanë paralajmëruar tashmë për ndikimin që El Niño do të ketë mbi çmimet globale të ushqimeve, por raporti i publikuar nga Programi Botëror i Ushqimit është i pari që analizon në mënyrë të detajuar pasojat mbi urinë në nivel botëror.

Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se synon të zbusë efektet e motit ekstrem përmes sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe ndërhyrjeve parandaluese humanitare, për të cilat janë planifikuar të paktën 80 milionë dollarë.

Megjithatë, pasojat pritet të jenë afatgjata, pasi fermerëve mund t'u nevojitet më shumë se një sezon për të konsumuar rezervat ushqimore. Në Afrikën Jugore, për shembull, sezoni kryesor i mbjelljeve zgjat nga tetori i këtij viti deri në mars të vitit 2027, por ndikimi më i rëndë do të ndihet rreth nëntë muaj më vonë, gjatë periudhës së mungesës ushqimore pas korrjes.

Të dhënat e Programit Botëror të Ushqimit mbulojnë 45 vendet ku organizata vepron dhe ku ekzistojnë vlerësime bazë për pasigurinë ushqimore. Sipas organizatës, mund të ketë pasoja shtesë edhe në vende të tjera jashtë këtyre zonave më të goditura.

Fermerët në Europë kanë paralajmëruar se temperaturat ekstreme dhe mungesa e reshjeve po dëmtojnë prodhimin bujqësor, ndërsa shitësit me pakicë po përgatiten për rritje të çmimeve të produkteve ushqimore./The Guardian