Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA la në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Arben Agovi.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë.

Arben Agovi u konfirmua në detyrë më 13 dhjetor 2023, por Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi si të pabazuar vendimarrjen e shkallës së parë të vetingut, duke argumentuar se subjekti nuk arrinte nivel të besueshëm për shkak të problemeve të konstatuara në kriterin profesional dhe në vlerësimin tërësor të çështjes.

'Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 6/2024, datë 14.02.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Arben Agovi.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 724, datë 13.12.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Arben Agovi', thuhet në vendim. 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi pushimin e çështjes së vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Julian Haxhiu, për shkak të heqjes dorë nga shkaqet e ankimit prej drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. 

'Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 37/2024, datë 01.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 773, datë 07.06.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Juljan Haxhiu.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në nenet 451, germa “b” e 463 të Kodit të Procedurës Civile, në mënyrë unanime, vendosi:

Pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 37/2024 në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 773, datë 07.06.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Juljan Haxhiu', thuhet në vendim.