Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) që shkarkoi nga detyra prokurorin e Elbasanit, Neritan Hoxha.

Trupi gjykues i KPA ishte i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 38/2024, datë 15.10.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Neritan Hoxha kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 786, datë 18.07.2024.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 786, datë 18.07.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Neritan Hoxha.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall më datë 21.01.2026, në Tiranë.

Hoxha u shkarkua nga KPK, për problemet në kriterin e pasurisë, që kishin të bënin me deklarime të pasakta e të rreme, dyshime për fshehje të transaksioneve të pasurive, si dhe mungesë të burimeve financiare të ligjshme.