TIRANË- Ish-kryetarja e Gjykatës së Tiranës, Enkelejdi Hajro mbetet jashtë sistemit të drejtësi, pasi nuk ka kaluar me sukses Vettingut.
Vendimi u mor ditën e sotme, ku Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), që pëjashtoi nga drejtësia.
"Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.45/2019, datë 23.09.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Enkeledi Hajro, kundër vendimit nr. 154, datë 10.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 154, datë 10.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Enkeledi Hajro.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 26.01.2021", thuhet në njoftim.
Hajro u shkarkua në qershor të vitit 2019. Trupa gjykuese konstatoi paqartësi në deklarimin e një huaje dhe mungesë të burimeve financiare në disa vite.