Komisioneri Publik ankimoi këtë të premte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Prokurorin e Gjykatës së Shkallës së parë në Elbasan, Besnik Cani. Sipas njoftimit të Institutit të Komisionerëve Publik mësohet se Komisioneri Publik ka bërë vlerësimin e vendimit të KPK-së si edhe ka marrë në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankimim dhe nga vlerëmimi i provave rezulton që subjekti i ri Besnik Cani nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë .
"Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani", thuhet në njoftimin zyrtar të Institurt të Komisionerëve Publik.
Besnik Cani është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe ka kaluar me sukses procesin e vettingut duke u konfirmuar në detyrë më datë 27 nëntor të vitit 2018-të mbi bazën e vendimit të marrë në KPK.
Njoftimi i plotë:
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Besnik Cani, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.
Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16 të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: ëëë.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.