Po ashtu, KQZ bën me dije këshillat bashkiakë se nuk mund të zëvendësojnë anëtarët e tyre tashmë siç është bërë, me emrin pasardhës. Tashmë emrat vijues në listë do të verifikohen nga KQZ nëse janë apo jo në kushtet e dekriminalizimit, sapo të plotësojnë formularët e tyre për këtë çështje. Vetëm pasi KQZ të ketë verifikuar informacionin, do të bëhet zëvendësimi i tyre. “KQZ-ja kërkon listën e këshilltarëve të zëvendësuar, nëse ka, pas konstituimit dhe fillimit të këshillit bashkiak të dalë pas zgjedhjeve të vitit 2015, që do të thotë kush është zëvendësuar dhe nga kush është zëvendësuar, pas krijimit të këshillit bashkiak.
Këto të dhëna na i konfirmoni brenda datës 11 prill 2016. Gjithashtu, ju njoftojmë se që nga momenti i hyrjes së fuqi i ligjit të sipërcituar (Ligji për dekriminalizimin) nëse do të krijohet vakancë në këshillin e bashkisë, nuk do të bëni asnjë veprim pa njoftuar për vakancën KQZ-në. Me krijimin e vakancës do të jepni të paktën emrin e personit që e krijon, dhe listën shumëemërore të subjektit nga del, apo është kandidat i propozuar nga zgjedhësit”-thuhet në të njëjtën shkresë drejtuar bashkive.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, nëse konstatohet se formulari i vetëdeklarimit është i paplotësuar apo pjesë të caktuara të tij janë të paplotësuara, struktura apo personi përgjegjës njofton subjektin dhe ia kthen atë mbrapsht, duke i caktuar edhe afatin e ri pesëditor, brenda të cilit duhet të dorëzohet pa të meta. Nëse subjekti nuk dorëzon formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Organet përgjegjëse, brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit, do të bëjnë publike listën e funksionarëve publikë që kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit pranë tyre.
Ndërkohë, brenda pesë ditëve nga skadimi i afatit, sipas pikës 1 të këtij kreu, organi përgjegjës evidenton funksionarët publikë që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit. Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë rast si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik.
Brenda tre muajve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit është i detyruar të verifikojë të dhënat e deklaruara nga personi. Brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, organi përgjegjës zbaton procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra.
Afati
“Brenda 10 ditëve nga përfundimi i verifikimit, nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, organi përgjegjës zbaton procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra”.
Mandatet
“Personat që gëzojnë aktualisht mandatin, nëse nuk depozitojnë pranë KQZ-së formularin e vetëdeklarimit deri në datën 4 maj 2016, do të trajtohen sikur të kenë rezultuar në një nga rrethanat që përbëjnë kusht për pushimin e mandatit”.
Verifikimi
“Gjithashtu, ju njoftojmë se që nga momenti i hyrjes së fuqi i ligjit të sipërcituar (Ligji për dekriminalizimin) nëse do të krijohet vakancë në këshillin e bashkisë, nuk do të bëni asnjë veprim pa njoftuar për vakancën KQZ-në”.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)