KQZ: Do rinumërojmë Lezhën e
Shkodrën, PS: Urdhër nga PD

KQZ: Do rinumërojmë Lezhën e<br />Shkodrën, PS: Urdhër nga PD
 TIRANE- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur sot me vetëm 4 anëtarë, të rinumërojë votat në të gjithë qarkun e Lezhës dhe atë të Shkodrës. Ky vendim u mor pas propozimit të komisionerit Klement Zguri se 10 kutitë e hapura dëshmuan se në Lezhë kishte devijim të dukshëm të votave si dhe ankesës së përfaqësuesit ligjor të PR-së, Arjan Madhi se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në Shkodër. Këto vendime ngjallën debate të ashpra mes tyre dhe përfaqësuesve të PS-së dhe LSI-së.

“Realiteti që pamë në kutitë që hapëm,”- tha komisioneri Zguri, - “tregoi që situata ishte dramatike dhe numërimi si proces nuk ka funksionuar. Këtu ka financim dhe para. S’mund ta quaj lajthitje gjithë këtë gabim të gjithë atyre njerëzve. Këtë propozim e mbështes në nenin 124, e drejta e ankimimit.”
 
Zguri u mbështet edhe nga komisionerja Vera Shtjefni, e cila gjykoi se “numëruesit kanë devijuar vullnetin e votuesve dhe para këtij fenomeni askush s’ka të drejtë të kundërshtojë. Në një vlerësim të parë, isha unë që ajo thashë se nuk është nevoja për të rinumëruar votat, por është e rëndësishme që, meqë ndodhemi para këtij fakti, të provojmë njehërë e mirë se nuk bëhej lojë me votën.”

Vendimet e KQZ-së për numërimin e plotë të votave në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës nxiti reagimin e fortë të përfaqësuesve të PS-së, Genc Gjonçaj dhe Eridian Salianji si dhe të atij të LSI-së, Ilirjan Muhos, të cilët i kërkuan me ngulm komisionerëve të djathtë se mbi ç’bazë ligjore e bënë këtë propozim dhe pse nuk vepruan kështu edhe në zgjedhjet e mëparshme, kur u kërkua hapja e kutive.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së Eridian Salianji kërkoi të drejtën e fjalës pas vendimit për Lezhën, por ajo nuk iu dha nga kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi. "O të çmendur, prisni të flasim edhe ne e pastaj bëni ç'të doni!" - thirri ai.

Fjala nuk ia dha as përfaqësuesit tjetër të PS-së, Genc Gjonçajt. Por, ai u shpreh: "Ju që të katër jeni kamikazë. Keni marrë urdhër nga PD-ja për të bërë pis procesin zgjedhor po një ditë do të hetoheni për këtë vendimarrje. Por dijeni se janë 350 mijë vota në të gjithë Shqipërinë, që nuk i lëvizni dot!"

Pasdreke, KQZ-ja zhvilloi një mbledhje të dytë për të dëgjuar ankimimin e përfaqësuesit ligjor të PR-së, Arjan Madhi. Sipas tij, votat e PR-së janë masakruar dhe ajo që ndodhi në Lezhë, ka ndodhur edhe në Shkodër. Pas këtij propozimi, KQZ-ja vendosi që edhe për qarkun e Shkodrës të bëhet rinumërimi i votave.  Edhe pas këtij vendimi, përfaqësuesi i PS-së deklaroi se po përsëritet procesi i deformimit të votës si në 2011-ën dhe gjithçka ka qënë e parapërgatitur që në fillim, kur mbledhjet e KQZ-së u shtynë duke lënë në fund, pikërisht ankimimet për këto dy qarqe.

KQZ VENDOS TE KERKOJE NGA MINISTRIA E BRENDSHME, VERIFIKIMIN E FIRMAVE TE VOTUESVE

Partia Socialiste ka kërkuar në mbledhjen e sotme, verifikimin e firmave të 50 votuesve, që dyshohet se janë hedhur nga e njëjta dorë; ka kërkuar verifikimin e hyrjes në Shqipëri të 156 votuesve të ardhur nga jashtë dhe të 117 të tjerëve, për të cilët është votuar nga persona të tjerë.

KQZ CAKTON 8 GRUPE NUMERIMI PER KUTITE E LEZHES
 
KQZ-ja ka nisur diskutimin për numërimin e votave të qarkut të Lezhës në orën 13:00 duke caktuar 8 grupe numërimi prej dy personash. 80 kuti do sillen çdo ditë në KQZ nga depot e Lundrës dhe ky ka qënë shqetësim për përfaqësuesin e LSI-së, Ilirjan Muho. “Ai deklaroi se “nuk kemi kundërshtim të numërohen kutitë, por jemi të shqetësuar për integritetin e tyre, sepse ato kanë 15 ditë thuajse në Lundër. Më pas, komisioni ka diskutuar sjelljen e kutive, njëherësh ose pjesë - pjesë."   

GJONÇAJ: JENI KAMIKAZË TË TË GJITHA PROCESEVE ZGJEDHORE. DEBATET
 
Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj: “Ju po përdoreni si kamikazë, por një gjë të jetë e qartë, ju nuk shmangeni dot nga përgjegjësia.: Integriteti i kutive është përgjegjësi e KQZ-së. kutitë janë dorëzuar pa asnjë shënim apo problem. Gjithçka që ka ndodhur me ato kuti është përgjegjësi e juaja. Nuk flas për transportin, por që nga moment kur ato janë dorëzuar tek ju.”
 
Kryetarja Lleshi pranoi se përgjegjësia është tërësisht e KQZ-së. Duhet ta keni të qartë se kërkesa nuk ishte nga ne, por një propozim i LSI-së dhe ne e morëm parasysh.
 
Komisioneri Zguri: Po vendosen paralele për standarte të dyfishta. Po në 2009-ën nuk kishim asnjë fakt asnjë provë, kurse tani pamë që ishte shumë publike, shumë transparente dhe u gjetën manipulime të rezultatit të zgjedhjeve. Kishte fakte dhe argumente që çuan në këtë vendim.
 
Përfaqësuesi i LSI-së, Muho: Mos ngulmo kot Zguri, se ne paraqitëm edhe kërkesën ankimore për Kukësin dhe ju nuk e morët parasysh. Por ti do ta shpërblesh PD-në për mënyrën si ke ardhur këtu dhe e di shumë mirë sesi ke ardhur.
 
Komisioneri Osmanaj: Kutitët e votimit janë të sigurtë, por unë mendoj që të marrim gjysmën, 120 kuti, sepse për dy ditë e gjysëm ne i përfundojmë.  
 
Komisioneri Gjonçaj: O Hysen, ju jeni masha zgjatuese të pushtetit, sepse kur kërkuam ne hetim në 2009-ën, atëhërë ju kërkuat fakte e grupfakte, kompleksfakte...

KQZ: TE RINUMEROHEN EDHE VOTAT E SHKODRES

KQZ-ja ka nisur shqyrtimin e ankimimit të Partisë Republike, që pretendoi se gjatë procesit është dëmtuar. Këtë dëmtim, sipas përfaqësuesit të saj, Arjan Madhi, e vërteton edhe më mirë rasti i Lezhës ku rreth 60% e votave të abuzuara i përkisnin PR-së. Ai kërkoi që KQZ-ja ta shtrijë procesin e rinumërimit të votave edhe në këtë qark.

Edhe për këtë vendim, debatet qenë të forta. Përfaqësuesi i LSI-së, Ilirjan Muho, vuri në dukje se KQZ-ja po punon me dy standarte, se vendimi është diabolik, pasi për rastin e Kukësit nuk u numëruan kutitë dhe PD-ja e mori mandatin e saj, kurse në rastin e Lezhës dhe atë të Shkodrës, po vepron ndryshe. Gjonçaj theksoi nga ana e tij se PD-ja s'ka kurrfarë interesi për transparencë, por vetëm do ta bëjë pis atë.

Përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj: E gjitha praktika e ndjekur nga KQZ-ja në ankimim ka pasur bazë dy elemente: Nuk kanë shërbyer kasetat e materialeve filmike si provë dhe e dyta, në ato raste, kur KQZ-ja nuk ka paraqitur shënime lidhur me procesin, KQZ-ja ka thënë se çështja duhet të  anullohet. Unë do mbështetja që ankuesi të paraqesë prova dhe në mbledhjen e fundit, u la detyrë që administrate të bëjë verifikimet. Nuk e di nëse është bërë verifikimi për çdo rast, sepse nuk ka raste të përgjithshme.
 
Përfaqësuesi i PR-së, Arjan Madhi: Ne e kemi marrë vonë kasetën filmike. Interesi i KQZ-së ka thënë i thelluar për Shkodrën. Ne jemi përpjekur të bëjmë leximin e asaj që ka qënë në kasetë. Por unë theksoj se 60% e votave i ishin vjedhur PR-së dhe ndaj i kërkoj KQZ-së që kjo masakër kërkon një hetim të zgjeruar dhe humbja është vetëm koha. Ne fitojmë transparencë. Por, nëse vërtetohet se ka ndodhur kudo ajo që ka ndodhur në ato 10 kuti, atëherë ne do kuptojmë se çfarë bëhet. Ajo provë që u soll këtu nuk është provë e veçuar e Lezhës, por që gjendet edhe në shkodër e kudo.
 
Përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj: Z.Madhi, vendimarrja e KQZ-së që i referohet qarkut të Lezhës nuk ka lidhje as me transparencën dhe as me vërtetësinë e fakteve. Ajo vendimarrje synon të bëjë pis procesin zgjedhor, synon thjesht të vonojë rezultatin e zgjedhjeve ku mazhoranca shkoi në opozitë, synon të përdorë rezultate të falsifikuara – e nëse KQZ-ja do të kishte vërejtje do ta bënte para se të miratonte tabelën e Lezhës, por nuk pati interes se tani i erdhi urdhri.

Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti: Padia e re në këtë rast është se ne u besojmë komisionerëve dhe numëruesve. Çfarëdo që thotë ai komisioni atje poshtë, nëse ai ka rënë dakord, edhe ne kemi thënë po me ata. Mirëpo rezultoi që nuk u dashka thënë po, sepse ata prodhokan një rezultat që nuk është e vërteta. Nga 10 qendra, në 5 qendra u pa se dakortësia kishte vënë dorë në tabelën e rezultateve si dhe në transmetimin elektronik të të dhënave këtu në KQZ. Pra, unë them se propozimi i bërë nga PR-ja është shumë me vend. Lidhur me Kolegjin Zgjedhor, unë gjykoj se nuk është ai, por është Kodi Zgjedhor që na tregon si duhet të marrim vendimet.
 
Përfaqësuesi i LSI, Muho: Duhet të kemi një standart në hetim. Jo për Kukësin ku e morët mandatin, vini tani e na thoni në qarkun e Lezhës ndodhi kështu dhe po e njëjta edhe në Shkodër. Vendimi që morët është diabolik, po silleni me dy fytyra.
 
Kryetarja Lleshi: KQZ-ja nuk bënë llogari mandatesh, por shikon vetëm procedurën. Ne pamë që Lezha zbuloi një realitet tjetër dhe ne mbi atë vendosëm.
 
Përfaqësuesi i LSI, Muho:
Nëse do provohet se është grupi i numërimit që e ka bërë falfikimin, ata do mbajnë përgjegjësi, por mund të provohet edhe e kundërta, se ka ndodhur në Lundër.  Sepse nuk më duket e mundur që tre vetë kanë rënë dakord për një tabelë.
 
Kryetarja Leshi: Ne do t’i çojmë dyshimet tona në prokurori.
 
Përfaqësuesi i PR-së, Madhi
: Kam keqardhje kur dëgjoj nga kolegët se rinumërimi është tentativë për të bërë pis process. Por nëse procesi vetë është pis, ne do ta denoncojmë. Përse republikanët janë shumë të vendosur t’i shkojnë deri në fund kërkesës së tyre. Nëçdo procesverbal ka korrigjime lehtësisht të dukshme. Kjo sipas nesh ka ndodhur se kemi sjellje ose arrogante të atyre që i shkruan ose injorante.

Përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj: Ka qënë e përgatitur që në fillim që kërkesat ankimore të Lezhës dhe Shkodrës të shtyheshin për në fund të luhej kjo valle. Kutitë e Shkodrës janë mbyllur pas asnjë lloj shënimi negativ dhe as nga përfaqësuesit e PR-së, që kërkon hetim tani. Tani që po organizoni këtë maskaradë, ju vë në dijeni se kutitët janë në Lundër dhe atje s’ka as kamera vëzhgimi dhe e dimë se çka bërë administrate me kutitë e zgjedhjeve vendore. Administrate zgjedhore manipuloi votat brenda në kutitë. Ju zonjë po shkelni ligjin edhe me Shkodrën siç bëtë me Lezhën. I latë qëllimisht për në fund dy kutitë.   

kqz
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Urdhër arrest për dy vëllezërit Dukaj, armiqtë e betuar të Ervis Martinaj! Si nisi përplasja mes tyre

Urdhër arrest për dy vëllezërit Dukaj, armiqtë e betuar të Ervis Martinaj! Si nisi përplasja mes tyre