Pavarësisht se me një dënim prej 1 vit e 4 muaj burg për ‘shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt’, KQZ regjistroi në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit përballë ish kreut të Gardës Gramoz Sakos kandidatin e pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike Gabriel Gumën.
Ilirjan Celibashi u bind pjesërisht nga argumentet e përfaqësuesit ligjor, Marash Logu, i cili tha se Guma ka patur ulje të dënimit e më tej konvertim në shërbim prove të tij e për këtë arsye, ai nuk është në kushtet e ndalimit të kandidimit.
“Guma me bashkëshorten kanë udhëtuar me automjet në Vlorë, kanë humbur drejtimin e mjetit dhe kanë shkaktuar një aksident. Prokuroria në bazë të referimeve që ka bërë policia ka regjistruar procedimin përkatës për shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor‘ dhe ‚drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt për shkak se në atë kohë leja e tij e drejtimit ka qenë e pezulluar. Gjykata e shkallës së parë e ka deklaruar fajtor duke e dënuar me 1 vit e gjashtë muaj dhe 6 muaj. Si rezultat i dënimit, 1.4 muaj për të dyja, është urdhëruar shërbimi i provës, 32 muaj në total. Dënimi i parë nuk hyn në kushtet e ndalimit të ligjit të dekriminalizimit “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Sai përket veprës së dyrë”drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” neni 2 e ligjit të dekriminalizimit ka parashikuar që duhet të jetë me dashje dhe së dyti kur është dënuar jo më pak se 6 muaj. Periudha e dënimit nuk e plotëson këtë kusht, sepse është aplikuar gjykimi i shkurtuar, për këtë vepër penale është dënuar me 4 muaj burg dhe së treti është aplikuar dënimi alternativ. Vetë ju i keni aplikuar në 2 raste, me kryetarin e bashkisë mallakastër dhe Kucove, Qerim Ismaili dhe Kreshnik Hajdari. Vlerësoj që këta dy precedentë, vlejnë edhe në shqyrtimin e këtij rasti sepse është aplikuar formë alternative të dënimit me burgim, vënien në provë. Nuk është kryer dënimi me burgim.
Edhe neni 4 pika 4, parashikon se kur fillon periudha e ndalimit të kandidimit, bëhet kur përfundon “dënimi me burgim” jo me kryerjen e një forme të dënimit alternativ edhe në ëktë kuptim vlerësoj që nuk është në kushtet e ndalimit të kandidimit, sepse nuk ka kryer efektivisht burg, nuk ka qenë i burgosur. Pasur parasysh këto rrethana, nuk jemi në kushtet e kandidimit të zotit Guma, unë vlerësoj që duhet vlerësuar edhe fryma e ligjit. Ligji i dekriminalizimit nuk ka dashur të ndalojë qytetarë për këto vepra penale që nuk kanë rrezikshmëri shoqërore. Kujtdo për shkak të një pakujdesie mund t’i ndodhë të jendet në kushtet e zotit Guma, duke shkaktuar një aksident pa patur dëmtime te persona të tjerë. Edhe një funksionari shembullor shtetëror mund t’i ndodhë një situatë e padëshirueshme e tillë. Lejoni kandidimin dhe mund të kryeni verifikime shtesë te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Prokuroria”, tha Logu.
‘Vendosim regjistrimin dhe meqenëse koha nuk është e mjaftueshme për të marrë përgjigje për të gjitha cështjet, do ti kërkojmë drejtorisë së burgjeve dhe prokurorisë së përgjithshme, dhe më pas do të shohim sesa janë të përputhshme argumentet tuaja’, tha Celibashi.
Ndryshe nga Guma, Gjergji Nika nuk ia doli të bindë KQZ-në që të regjistrohet si kandidat i pavarur në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Vlorës. Ndonëse ka një mandat të anëtarit të Këshillit Bashkiak, gjë që shmang mbledhjen e firmave, Nika duhet të ishte regjistruar përmes një komiteti nismëtar.
"Ju kishit detyrimin që të afirmoheshit si kandidat i mbështetur nga zgjedhësit vetëm duke përgatiur këtë kërkesë tek një Komiteti Nismëtar. Favori që ligji iu ka bërë është që ju nuk kishit nevojë për të mbledhur firma", tha Celibashi.
“Në radhë të parë mua ma lejon ligji, pasi ti e ke të shprehur shumë të qartë, neni 70 pika 4, shkruhet, kandidatët që janë kryetarët e Bashkive, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe deputetët. Me një vërtetim nga instucionet e tyre, mund të regjistrohen duke mbajtur një mandat mbi gjashtë muaj. Është e shkruajtur shumë qartë, nëse do të ishte në pikën 4, nuk do të shkruhej heqja e pikës 3, atëherë këtu do të kishim nevojë për interpretim, por gjëja është shumë e qartë”, tha Nika.
Kjo bën që në garën e Vlorës, beteja është mes 2 rivalëve: Bruna Mersinit dhe të pavarurit të mbështetur nga opozita, Dionis Sota i cili ka një profil në sipërmarrjen turistike.
Në Berat, nënkryetari Ervin Ceca që drejton bashkinë prej ditës që Ervin Demo u dorëhoq për t’u bërë deputet, garon nën logon e socialistëve për tu zgjedhur kryetar. Përballë ka biznesmenin Pavlo Shkarpa, i cili garon si pavarur dhe mbështetet nga korpusi opozitar.
Në Cërrik e Mat zyrtarisht do të ketë 3 rivalë. Florenc Doka i PS, aktualisht kryetar i komanduar i Cërrikut garon përballë dy emrave nga opozita. Këtu, demokratët dhe Adriatik Lapaj nuk i kanë bashkuar fuqitë.
Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD, ndërsa kriminologu i kthyer nga Italia, Eligert Hima garon nën logon e Shqipëria Bëhet.
Në Mat demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki, janë të ndarë. Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat, e zemëruar me partinë, kandidon si e pavarur.
Në mbledhjen e së dielës, KQZ caktoi edhe renditjen e tyre në fletën e votimit.
Eligert Hima Shqipëria Bëhet 1
Amarildo Hoxha I pavarur (mbështetur nga PD) 2
Florenc Doka PS 3
Altin Bojni PS regjistrohet 1
Eduart Brahilika I pavarur (mbështetur nga PD) 2
Suzana Pasha E pavarur (larguar nga PS) 3

Pasi KQZ mori vendimin ditën e sotme për mos regjistrimin si kandidat për Bashkinë Vlorë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit të Gjergji Nikës, ky i fundit ka ankimuar vendimin në KAS.
Në një shkresë drejtuar KAS, Nika kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së dhe regjistrimin e tij si kandidat të pavarur për Bashkinë Vlorë.
Ai pretendon se ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar dhe se KQZ po interpreton në mënyrë të gabuar ligjin.
"Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në arsyetimin e vendimi objekt ankimi pretendon të shkrijë në një dispozitë të vetme duke kërkuar nga ankuesi që të zbatojë në të njëjtën kohë pikën 3 dhe pikën 4 të nënit 70 ndonëse këto të fundit, sikurse arsyetuam edhe më lartë, janë pika përjashtuese të njëra tjetrës dhe të papajtueshme mes tyre.
Në përfundim duke vlerësuar se vendimi objekti ankimi është pasojë e interpretimit të gabuar të ligjit material si dhe duke vlerësuar se nga ana e ankuesit është depozituar në formën e kërkuar nga ligji i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin si kandidat i propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet e pjesshmë vendore të datës 09.11.2025 në Bashkinë Vlorë", shkruhet në ankimin e Nikës.
KQZ refuzoi kanditaturën e Gjergj Nikës me argumentin që edhe pse si këshilltar, nuk kishte nevojë të mblidhte firma, ai duhet të paraqiste një komitet nismëtar për t’u regjistruar si i pavarur.

Komente









