Pas paralajmërimeve të mëparshme dhe mungesës së reagimit nga partitë politike, KQZ vendosi që brenda ditës së premte të angazhojë policinë e rendit dhe atë bashkiake për të hequr nga ambientet publike të gjithë posterët elektorale që nuk përmbajnë shënimin sqarues “Nën përgjegjësinë ligjore të subjektit zgjedhor që e ka vendosur”
Kryekomisioneri Celibashi, tha se ndonëse ishte caktuar afati 28 prill që partitë politike të vendosnin shënimin sqarues në postera sipas kodit zgjedhor, nga verifikimet e kryera rezulton se ka ende postera pa këtë shënim.
Në mbledhjen e KQZ u diskutua edhe për disa ankimime të subjekteve zgjedhore, lidhur me vendosjen e disa zyrave elektorale në zona që i ndalon Kodi zgjedhor, por që vendimi pritet të merret të premten.
‘Deri ditën e premte do ketë një komunikim me të gjitha subjektet për shkeljet e konstatuara dhe të premten shpallim vendimin për secilin prej rasteve, duke u shprehur me vendim përfundimtarë. Bëhet fjalë për zyra elektorale në zona ku nuk lejohet, posterat, afishimet dhe përdorimin ambienteve në shkelje me parashikimet e kodit zgjedhor, sipas denoncimeve të mbërritura.’- tha Celibashi.
Gjatë mbledhjes së KQZ u miratua dhënia e mandatit të deputetit Frrok Gjinit për PS, dorëzuar nga Benet Beci që kandidon për bashkinë e Shkodrës.