PRISHTINË - Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë për vreshtarët do të vazhdojë edhe sivjet. Përmes pagesave direkte në vlerë prej 1000 euro për çdo hektarë të mbjellë, si dhe përmes granteve investive, kjo ministri synon shtimin e sipërfaqeve me vreshta të reja, e bashkë me këtë edhe rritjen e prodhimtarisë në këtë sektor.
Sipas KosovaPress, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, diskutoi sot me përfaqësuesit e Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, të cilët i njoftoi më hollësisht për programin e kësaj ministrie për sektorin e vreshtarisë për këtë vit.
Ministri Krasniqi tha se, Kosova ka kushte agroklimatike shumë të mira për zhvillimin e sektorit të vreshtave. Ai shtoi se, sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë është një prej sukseseve më të mëdha në fushën e bujqësisë, ku prodhimet e këtij sektori tashmë kanë gjetur vend edhe në tregjet evropiane.
Ministri ka theksuar se, pagesat direkte në vlerë prej 1000 euro për hektarë të mbjellë janë më të lartat në rajon, dhe shtoi se MBPZRH-ja, do të ketë fokus edhe mbështetjen e vreshtarëve në modernizimin e infrastrukturës në vreshta dhe me theks të veçantë në zgjerimin e sipërfaqeve të tyre./ATSH/