/ATSH-B.Jashari/.-Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, shprehet sot se kryeministri do jetë i koalicionit paszgjedhor dhe asnjë parti veç e veç nuk duhet të flet për krun e ardhshëm të qeverisë, pasi "jemi bërë bashkë për qeverisje të mirë"

"Përfaqësuesit e partive politike të koalicionit paszgjedhor, në deklarimet e tyre duhet të jenë te kujdesshëm, pasi asnjë parti veç e veç nuk duhet të flasë për kryeministrin e këtij apo atij subjekti. Kryeministri do të jetë i koalicionit VLAN dhe vendi do të qeveriset sipas Programit që do të merremi vesh", deklaron ai.

"Duhet ta kuptojmë të gjithë se objektivi kryesor është projekti i përbashkët - qeverisja ndryshe. Pasi bashkimi ynë nuk është bërë për hir të individit, por për hir të publikut. Mos bini viktima te interesave primitive e meskine", shkruan Krasniqi sot në Facebook.

Në një komunikatë të partisë më të madhe të koalicionit paszgjedhor, të bërë mbrëmjen e 7 nëntorit, thuhej se "LDK-ja, si prijëse e koalicionit të shumicës parlamentare, është e përcaktuar të punojë intensivisht për themelimin e qeverisë së re të vendit, të udhëhequr nga LDK-ja".

Pas kësaj, ende nuk ka ndonjë komunikatë zyrtare nga AAK-ja, lideri i së cilës, Ramush Haradinaj, sipas marrëveshjes së 10 qershorit të koalicionit të pas zgjedhjeve të 8 qershorit LDK-AAK-Nisma, ishte nominuar për kryeministër.

Shtypi i sotëm kosovar paralajmëron se, "dy partnerët e koalicionit, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, sapo të kthehen nga Gjermania, të premten, do t'i japin fund dilemave nëse do të ketë ndryshim të marrëveshjes dhe nëse kreu i AAK-së do t'ia dorëzojë postin e kryeministrit liderit të LDK-së". LDK dje njoftonte se kryetari i saj, Isa Mustafa, me ftesë nga partia simotër në Gjermani, Unioni Kristian Demokratik (CDU), po qëndron në vizitë disaditore në Berlin, ku ka takuar zyrtarë të lartë partiak, dhe "bisedoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, procesin e themelimit të institucioneve dhe prezentoi platformën qeverisëse". Bëhet e ditur se, Mustafa dhe delegacioni i LDK-së, gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë takime tjera me zyrtarë të Kancelarisë Gjermane dhe se pas vizitës në Berlin do të udhëtojë për në Bruksel.