/ATSH/.- Edhe grupi parlamentar "Nisma për Kosovën" është kundër projektbuxhetit aktual. Jakup Krasniqi nga ky subjekt tha se nuk duhet të veprohet me ngut në këtë rast.
Sipas KosovaPress, ai tha se "elefantët" janë bërë bashkë për grabitjen e parasë publike dhe po merren me çështje që nuk janë të rëndësishme për vendin.
Ky projektbuxhet është vetëm për shpenzime, sipas Krasniqit. Ai thotë se 71% e buxhetit i dedikohet shpenzimeve rrjedhëse të institucioneve dhe kështu nuk mund të quhet buxhet i qytetarëve.
Në këtë mënyrë, Krasniqi vlerëson se nuk ka ngritje buxhetore, por vetëm rënie, dhe sipas tij, shumë vështirësi do e presin Kosovën me këtë projektbuxhet.
Shefi i grupit parlamentar të "Nisma" thotë se nuk ka gatishmëri për ndaljen e ekonomisë së zezë, mungojnë politikat dhe gatishmëria e institucioneve për të ndalur krimin dhe korrupsionin.
Ai përmendi edhe ikjen e qytetarëve nga Kosova, e sipas tij, ky lloj buxheti nuk garanton siguri, ndaj po shpërngulen qytetarët.
Ai tha se në koalicionin PDK-LDK ka njerëz që kanë dhënë shumë për Kosovën dhe u bëri thirrje mos të sakrifikojnë vendin për interesa më të ngushta.