PRISHTINË, 22 Janar/ATSH/-Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, siguroi të enjten se gjatë vitit 2015 do të rritet përkrahja e qeverisë për blegtorët.
Deklarata e tij u bë gjatë një takimi me drejtues të Shoqatës së Kultivuesve të Deleve dhe Dhive në Kosovë.
Siç bën të ditur KosovaPress, gjatë takimit u diskutua për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2015, ku Krasniqi theksoi se do të ketë rritje të mbështetjes për shumë sektorë, si dhe aplikim të formave të reja mbështetëse. Ai e konsideroi shoqatën, partnere për zhvillimin e këtij sektori.
Kreu i shoqatës, Emin Kolloni, siguroi se shoqata do të japë mbështetjen për zbatimin e projekteve zhvillimore për sektorin e blegtorisë./a.gjonaj//m.m/