Si mos të mjaftonin pasuritë e deklaruara dhe të padeklaruara, prokurorët dhe gjyqtarët të cilët do t’i mbijetojnë procesit të trefishtë të Vetingut, do të kenë mundësi që të marrin apartamente të reja, si të pastrehë, në qendrat e qyteteve ku ata ushtrojnë detyrën, sipas disa kushteve të përcaktuara.

Kapitulli për përfitimet financiare dhe shoqërore të magjistratëve, në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, parashikon që prokurori dhe gjyqtari me tre vjet eksperiencë mund të marrë kredi të financuar nga shteti, për të blerë shtëpi në qendër të qytetit.

Ky nen, konkretisht neni 18, është kundërshtuar nga anëtarët e komisionit për Reformën në Drejtësi, por është mbrojtur me forcë nga ekspertët e misioneve të SHBA-BE.