Standardet e kredisë për bizneset mbeten pothuajse të pandryshuar nga tremujori i kaluar, ndërsa standardet e kredisë për individë janë lehtësuar, raportoi dje Banka e Shqipërisë, duke publikuar rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2017.
 
Biznesi
Standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë lehtësuar disi, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha kushtet kanë mbetur të pandryshuara. Për individët, standardet e kreditimit janë lehtësuar vetëm për kredinë konsumatore, ndërkohë që për kredinë për blerje banese kushtet mbetën të pandryshuara.

Faktorët që kanë ndikuar në kahun shtrëngues të standardeve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, situata makroekonomike, si dhe problemet specifike të sektorit.
Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar.

Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues.

Kërkesa për kredi ka mbetur pothuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, e ndikuar më shumë nga segmenti i ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e të mesme kanë shfaqur rritje të kërkesës. Në tremujorin e dytë, bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë për kredi për kapital qarkullues, ndërkohë kërkesa për kredi për investime ka mbetur e pandryshuar.

Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, të mbështetur si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha.
 
Individët
Standardet e kredisë për individët shfaqën lehtësim në tremujorin e dytë të vitit 2017. Por për tremujorin e tretë të vitit, bankat presin një shtrëngim të lehtë të standardeve të kredisë si për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.

Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët rezulton të ketë ardhur kryesisht nga rritja e konkurrencës në sektorin bankar, niveli i likuiditetit dhe  mjaftueshmëria e kapitalit të bankave.

Nga ana tjetër, gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe kreditë me probleme janë faktorë me ndikim në kahun shtrëngues mbi standardet e kredisë për individët.

Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e dytë të vitit 2017, në linjë me pritjet e tyre në tremujorin e kaluar. Ekspertët e bankave presin që kërkesa në total e individëve të vijojë me rritje edhe në tremujorin e ardhshëm.
 
Blerjet
Sipas Bankës së Shqipërisë, vihet re se për individët, standardet e kreditimit janë lehtësuar vetëm për kredinë konsumatore, ndërkohë që për kredinë për blerje banesash kushtet mbetën të pandryshuara

 
Familjet dhe subjektet i drejtohen tregut për para’
 
Niveli i lartë i eurove që po qarkullojnë jashtë kanaleve bankave, të ardhura kryesisht nga aktivitetet informale, përveçse ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar në zhvlerësimin e monedhës së përbashkët, duket se po arrin deri tek biznesi dhe familjet shqiptare.

Këta të fundit kanë ulur kërkesën për kredi në banka dhe po financohet nga para jashtë kanaleve bankare.

Konstatimi është bërë dje nga Banka e Shqipërisë në publikimin për vrojtimin e aktivitetit kredituese për tremujorin e dytë të këtij viti.

Si një nga faktorët që kanë ndikuar kërkesën BSH thotë se “Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar”.

E njëjta tendencë është konstatuar edhe për individët. “Ndërkohë, ekspertët bankarë raportojnë se prania e burimeve alternative dhe besimi konsumator kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve”, thuhet në vrojtim.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com