TIRANE-Kushti kryesor pët të përfituar këtë kredi edhe nga banka është gjetja e një banese. Por ajo që i penalizon në një pjesë të madhe qytetarët që, sipas bashkisë i plotësojnë kushtet ekonomike për t'u trajtuar me kredi të butë, është gjetja e një kolaterali, pra i pasurisë që do të vënë garanci pranë bankës. Por hapi i parë që duhet të bëjnë 409 përfituesit, që u miratuan në mbledhjen e 5 prillit të këshillit bashkiak, është të paraqiten në Bashkinë e Tiranës për të rikonfirmuar interesin e pjesëmarrjes në projekt dhe për të rifreskuar apo plotësuar të dhënat mbi të ardhurat dhe përbërjen familjare. Kreditë jepen nga Banka Kombëtare Tregtare, me të cilën ka marrëveshje qeveria, dhe sipas procedurave tërheqja e kredisë duhet të bëhet brenda një afati 6-mujor që nga data e miratimit të vendimit të Këshillit Bashkiak. Në të kundërt, kur familja nuk ka gjetur ende banesë apo nuk ka plotësuar dokumentacionin që kërkon banka, përfituesi duhet të paraqitet pranë Entit Kombëtar të Banesave për të kërkuar shtyrje të afatit. Ndërsa pas përfundimit të procedurave një kopje e kontratës depozitohet pikërisht pranë këtij enti.

KUSHTET E KREDISE
Përfituesit e kredisë së butë, paguajnë vetëm 3 për qind të interesit, për një periudhe 30-vjeçare të përcaktuar nga banka. Sipas udhëzimit të Financave dhe Transporteve, "masa e subvencionit të interesave të kredisë, për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, bazuar në ligjin nr. 9232, datë 13.05.2004 "Për programet sociale të strehimit për banorët e zonave urbane", i ndryshuar, duhet të jetë e barabartë me diferencën që rezulton midis interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar midis ministrit të Financave dhe Bankës me interesin prej 3% në vit që paguan familja mbi principalin e kredisë". Diferenca që rezulton midis vlerës së banesës dhe shumës që krediton banka paguhet në mënyrë të menjëhershme nga familja. E thënë më qartë buxheti i shtetit paguan diferencën e interesit prej 9.9% - 3% = 6.9%. Pra nëse qytetari ka përfituar një kredi të barabartë me 3.000.000 lekë, nëse ai do të merrte një kredi në bankë pa subvencion, pagesat mujore do të ishin 26.105 lekë. Pas subvencionit, këstet mujore që do të paguajë familja do të jenë 12.648 lekë, që do të thotë se, çdo muaj familja përfiton një subvencion prej 13.450 lekë. Shuma që i jepet si kredi familjeve përfituese nuk mund të jetë më e madhe se 100% e vlerës së banesës së blerë. Për çdo qytet, kufiri maksimal i kreditimit për familje llogaritet sa 80% e vlerës së apartamentit të blere në treg sipas çmimeve kufij të vendosura. Në rast se familja për shkaqe të papritura nuk mund të vazhdojë më shlyerjen e kredisë, ajo duhet të njoftojë brenda një muaji nga krijimi i situatës së paparashikuar bankën dhe Bashkinë.
 

GARANCIA

Një ndër pikat ku ngecin pjesa më e madhe e kredive të buta të miratuara nga bashkia, është kolaterali ose pasuaria që lihet si garanci në bankë. Banka kërkon mbulim me kolateral në masën 140% që do të thotë që, nëse familja vë në hipotekë vetëm apartamentin që do të blejë, atëherë ajo duhet të bëjë një pagesë të menjëhershme të barasvlershme me 40% të vlerës së banesës, ose, e thënë ndryshe, të marrë një kredi vetëm sa 60% e vlerës së banesës sipas vlerësimit që ka bërë eksperti i bankës. Nëse familja nuk disponon këtë shumë, ajo mund të vërë si kolateral një pronë me një vlerë më të madhe dhe të bëjë një pagesë të menjëhershme prej 20% të vlerës së banesës që po blen. Me vlerë banese kuptohet vlerësimi që bëhet sipas procedurave të bankës dhe që në shumë raste nuk përputhet me çmimin me të cilën kreditori e ka blerë atë.

(jd/shqiptarja.com)