Për ti ardhur në ndihmë bizneseve të dëmtuara nga masat e ndërmarra për të parandaluar infeksionin e COVID-19 në vendin tonë, qeveria përveç pagës së luftës prej 26 mijë lekësh që dha për përfituesit e paketës së parë, dhe bonusit prej 40 mijë lekësh për përfituesit e paketës së dytë, kredia me garanci sovrane ishte mbështetja e radhës për bizneset që nuk përfituan.
Qeveria miratoi dy garanci sovrane, e para në vlerën e 11 miliardë lekëve dhe e dyta 15 miliardë lekë, duke iu dhënë mundësinë të gjitha bizneseve që të marrin kredi për pagat e punonjësve deri në tre muaj.
Burime për Report TV nga Ministria e Financave thonë se deri më tani janë 408 biznese që kanë aplikuar për të marrë kredinë sovrane, për pagat e punonjësve të tyre. Po të njëjtat burime pohojnë se për momentin nga bankat e nivelit të dytë janë në proces shqyrtimi 72 kërkesat e para që janë bërë për kredi. Pas marrjes në shqyrtim të aplikimeve Bankat Tregtare kanë 10 ditë afat për të kthyer përgjigje nëse janë ose jo përfitues.
Bizneset me këtë kredi sovrane mund të shlyejë pagat e punonjësve deri në 150 mijë lekë. Pra ne listën e punonjësve të biznesit nuk përfitojnë pagën ata që marrin më shumë se 150 mijë lekë në muaj. Që nga momenti kur aprovohet kredia nga banka e nivelit të dytë, biznesi do të ketë 2 vite afat për ta shlyer atë me këste. Garancia sovrane iu vjen në ndihmë të gjithë bizneseve të prekura dhe që nuk kanë përfituar nga paketat e ndërmarra.