Kreditë e këqija, Banka Shqipërisë
"Drejt falimentit 8 ndërmarrje VIP"

Kreditë e këqija, Banka Shqipërisë<br />
TIRANË - Janë shtatë ose tetë subjekte të mëdhaja, të njohura si VIP-at e ekonomisë shqiptare, të cilët po bëhen gati të shpallin falimentin. Ose do të jenë organet shtetërore që do të urdhërojnë falimentimin e detyruar të tyre. Kjo mësohet nga Banka e Shqipërisë. Drejtori i Mbikëqyrjes në bankën qendrore, Deniz Deralla, deklaroi dje se, për pjesën e mbetur të debitorëve më të mëdhenj ndaj bankave, do të punohet lidhur me atë, se si të gjenden zgjidhje alternative, përmes ristrukturimit të borxhit. Kjo për disa prej tyre, madje, është arritur tashmë dhe një gjë e tillë, sipas zyrtarit të BSH, do të japë efekte pozitive gjatë këtij viti, duke qenë se do të ulet ndjeshëm stoku i kredisë së keqe.
 
Borxhlinjtë
Sipas të dhënave nga BSH, janë35 kompani të mëdha që zotërojnë pjesën më të madhe (65%) të kredive të këqija në sistemin bankar. Huatë e humbura, për të cilat bankat nuk kanë më shpresë arkëtimi, ranë në 52 miliardë lekë në tremujorin e fundit 2015, nga 66 miliardë lekë që ishin në tremujorin e tretë.

Për vitin 2015, ky sistem realizoi, në fakt, një fitim rekord prej 15.7 miliardë lekësh (afro 116 milionë euro), megjithatë Banka e Shqipërisë do të kërkojë nga bankat e nivelit të dytë që fitimi të mos shpërndahet, por të kapitalizohet, për të shëndoshur më tej gjendjen e sistemit financiar. Kjo do t’i shërbente një rritje të qëndrueshme të kreditimit gjatë viteve në vazhdim.
 
Problemet
Për vitin 2016, sistemi bankar fshiu nga bilancet 26 miliardë lekë kredi të humbura dhe ky u bë faktori kryesor në uljen e nivelit të kredive me probleme, që, sipas Bankës së Shqipërisë, zyrtarisht zbriti në 18.2% në fund të 2015, ndërkohë që në janar është në nivelin e 17.66%. Objektivi është që ky tregues të ulet në nivelin 15% deri në mesin e vitit të ardhshëm, falë ristrukturimit të suksesshëm të disa prej kredive me probleme, por, mbi të gjitha, falë rritjes së kredisë së re.
 
Zgjidhjet
Falimenti është zgjidhja e vetme e mundshme për ato kompani, që kanë ezauruar të gjitha rrugët për të rekuperuar fonde. Ndërkohë, për kompanitë pjesërisht të shëndetshme rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave, në mënyrë që atyre t’iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin.

Arriti në 204 milionë euro paraja që “fluturoi” jashtë
Bankat transferuan 16 për qind më shumë kapitale se në vitin 2014
Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.32 trilionë lekë në fund të 2015-s, duke shënuar një rritje me 1.9%, apo me 24 miliardë lekë, në krahasim me dhjetorin 2014, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, forma e investimit, që ka mbizotëruar në 2015-n është ajo e vendosjes së parave jashtë vendit, si “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera tjera financiare”.

Ky zë është zgjeruar ndjeshëm me 16% apo me gati 29 miliardë lekë lekë në vlerë absolute (204 milionë euro), në raport me fundin e 2015-s (nga 24 miliardë lekë që u rritën aktivet në total). Ndonëse interesat e euros janë negative, sërish bankat duket se po e shohin këtë si një alternativë më të sigurt të investimit të parave të tyre, sesa të japing kredi për ekonominë shqiptare, që ka rezultuar me rënie. Në këtë mënyrë sistemi nuk ka kryer rolin e tij kryesor atë të ndërmjetësimit të parasë në ekonomi (kalimin e fondeve nga kursimtarët tek ata që duan të investojnë).

Huaja dhënë prej tyre sektorit privat ra me 1.5% me bazë vjetore në 2015-s, apo me 9.1 miliardë lekë (65 milionë euro). Treguesi i huasë i raportuar tek aktivet e sistemit bankar është neto, duke hequr efektin e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Kjo është performanca më e dobët historike e kredisë në sistemin bankar. Huaja bruto ndërkohë ra me 2.4% në 2015-m. Një tjetër zë që ka shënuar rënie ka qenë ai i veprimeve me letrat me vlerë, sidomos në tremujorin e fundit, pasi qeveria emetoi eurobondin prej 450 milionë eurosh, nga i cili 300 milionë euro shkuan për rifinancimin e eurobondit dhe 150 milionë u përdorën për zëvendësimin e borxhit të brendshëm.
 
Administrata. Ankesat e biznesit për tatimet e doganat, 75% e totalit
Nga anketimet e Këshillit të Investimeve ka rezultuar se biznesi është i shqetësuar se institucionet buxhetore dhe stafi i punësuar në to, shpesh injoron apo nuk njeh ligjet e funksionimit te tyre, rregullat dhe ndërmerr vendime arbitrare dhe jokoherente me ligjet në fuqi.

Nga të dhënat rezultoi se mbi 75% e numrit total të regjistruar të ankimimeve administrative të biznesit në gjykatat administrative, lidhen me tatimet, doganat, inspektimet dhe prokurimet publike. Referuar të dhënave institucionale, rezulton se vetëm në pak raste organet e administratës u japin të drejtë bizneseve pas shqyrtimit të ankimimeve administrative të tyre.

Konkretisht, Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) vetëm në 4% të rasteve, në Dogana nërreth 2% të rasteve, inspektoriatet Shtetërore në një masë nga 0% deri në 40% të rasteve. Ndërsa, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ofron një tjetër panoramë, vendimet në favor të bizneseve në raport me numrin e çështjeve të shqyrtuara janë rreth 40% gjatë vitit 2014 dhe 50% gjatë vitit 2015. Në shumicën e rasteve, pas shqyrtimit të brendshëm administrativ, palët i drejtohen Gjykatave Administrative për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

'Ishin groposur brenda në fuçi' Gazetarja Banushi zbulon se ku ishin fshehur 3 mln euro cash që sekuestroi SPAK

'Ishin groposur brenda në fuçi' Gazetarja Banushi zbulon se ku ishin fshehur 3 mln euro cash që sekuestroi SPAK