Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e procedurave për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme, nisur nga niveli i lartë i kredive të këqija dhe abuzimi me hipotekat e shtëpive që lihen garanci.
 
Sipas relacionit, kreditë me probleme janë konsideruar si një çështje shqetësuese për Shqipërinë.
 
Edhe pse vendi ynë nuk vuajti menjëherë pasojat e krizës globale financiare dhe krizës në euro, niveli i kredive me probleme u rrit në mënyrë të qëndrueshme. Një pjesë e madhe e kredive me probleme është e kolateralizuar me pasuri të patundshme dhe është e koncentruar kryesisht në sektorin e ndërtimit. Ky problem është evidentuar edhe nga FMN-ja dhe Banka Botërore si një nga problemet më kryesore me të cilën përballet vendi ynë. Për këtë arsye, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, një mision i asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) u paraqit në Tiranë gjatë periudhës 27 prill - 4 maj 2015 për të ndihmuar autoritetet shqiptare në zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për adresimin e situatës së kredive me probleme (NPL) në sistemin financiar shqiptar. Në raportin përfundimtar të dërguar nga FMN-ja është konkluduar se trajtimi i problemit të NPL-ve është i rëndësishëm për ringritjen e nivelit të kreditit në Shqipëri”-thuhet në relacion.

Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për këtë problem u sugjerua ngritja e një grupi pune ndërinstitucional të nivelit të lartë, i cili kishte si synim adresimin dhe reduktimin e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar.

Ndryshimi i parë lidhet me riformulimin e pikës 2, të nenit 46, të ligjit në fuqi, sepse kjo pikë nuk zgjidh çështjen e sigurisë juridike të palës së tretë, lidhur me kontratat e sipërmarrjes/porosisë mbi ndërtimet e reja, pasi regjistrimi i këtyre akteve juridike lihet në vullnetin e palës se interesuar (porositësit/blerësit), gjë që dëmton palët e treta që mund të jenë banka kredituese.

Sipas propozimit të grupit të punës, u riformulua kjo pikë e nenit 46, duke e bërë të detyrueshëm regjistrimin e aktit juridik (kontratës së sipërmarrjes) nga çdo palë, në të kundërt bankat nuk mund të pretendojnë të drejta përparësore ndaj palëve të treta që e kanë realizuar këtë regjistrim.

Riformulimi i këtij neni bën që regjistrimi të mos rrezikojë për të qenë fakultativ. Është kërkuar pikërisht dhënia fund e veprimeve abuzive të shoqërive ndërtuese në dëm të kreditorëve banka dhe të vetë qytetarëve porositës (shitjet e dyfishta/dhënia e garancisë për kreditë e objekteve të shitura me parë, vendosja garancive për pjesët takuese të pronarëve të truallit etj). Synimi përmes këtij riformulimi është bërja e detyrueshme e këtyre regjistrimeve. Pra, shoqëria e ndërtimit do të ketë detyrim ligjor regjistrimin si të lejes së ndërtimit ashtu edhe të kontratave të sipërmarrjes/porosisë, duke rritur dhe sigurinë juridike për ketë kategori koletaralesh.


Redaksia online
(F.T/shqiptarja.com)