Kreditimi/ Bankat japin më shumë kredi për individët, më e vështirë për bizneset

Kreditimi/ Bankat japin më shumë kredi për individët, më e vështirë për bizneset

Foto ilustruese

Bizneset, sidomos ato të mëdha, e kanë pasur më të vështirë që të merrnin kredi në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa më e lehtë ka qenë për individët. Banka e Shqipërisë ka publikuar Vrojtimin për Aktivitetin kreditues për Tremujorin e dytë, sipas të cilës rezulton se bazuar në perceptimet e bankave tregtare standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2018, në reflektim të një politike më të shtrënguar kreditimi për bizneset e mëdha. Në të kundërt, standardet e kreditimit u raportuan të lehtësuara për individët, në sajë të lehtësimit në segmentin e kredive për qëllim blerje banese. Kërkesa për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e dytë, si për bizneset ashtu edhe për individët.  Në tremujorin e tretë të vitit 2018 bankat presin standarde pothuajse të  pandryshuara, si në kategorinë e bizneseve ashtu edhe në atë të individëve. Kërkesa pritet të qëndrojë në nivele të ngjashme me tremujorin e dytë në segmentin e bizneseve, ndërkohë që për atë të individëve pritet të jetë lehtësisht më e lartë. Normat e interesit mbi kreditë në lekë priten të reduktohen, ndërsa ato në valutë të rriten në tremujorin në vazhdim.

Standardet e kreditimit për kategorinë e bizneseve u shtrënguan në krahasim me një tremujor më parë, të përcaktuara kryesisht nga ato të aplikuara mbi kreditë për bizneset e mëdha. Ato u raportuan më të shtrënguara në kreditë për qëllim investimi dhe pothuajse të pandryshuara për kreditë për likuiditete.  Pritjet për tremujorin e tretë të vitit lënë thuajse të pandryshuar me tremujorin e dytë tablonë e standardeve të kreditimit për bizneset, si në terma të madhësisë së tyre, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.

Kërkesa për kredi u raportua më e lartë si për bizneset e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ato të mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa ishte më e lartë në krahasim me tremujorin e mëparshëm për kredinë për likuiditete, ndërkohë që ajo për investime u raportua lehtësisht më e ulët.

Standardet e kreditimit për individët u raportuan më të lehtësuara në tremujorin e dytë. Ky lehtësim ishte i pranishëm për kreditë për blerje banese, ndërkohë që për kreditë konsumatore standardet mbetën pothuajse të pandryshuara me një tremujor më parë. Në tremujorin e tretë të vitit bankat shprehen se nuk presin ndryshim të standardeve të kredisë për individët në asnjërin prej segmenteve të kësaj kategorie.

Kërkesa e individëve për kredi ishte më e lartë në tremujorin e dytë të vitit, e nxitur nga kredia me qëllim blerje banese. Në tremujorin e tretë të vitit bankat presin një kërkesë lehtësisht më të lartë se ajo e tremujorit të dytë, si për kredinë me qëllim blerje banese ashtu edhe atë konsumatore.

Faktorët e perceptuar nga bankat si nxitës së kërkesës ishin të lidhura me: nevoja më të larta për financimin e konsumit si edhe blerjes së banesave; kreditë nga bankat dhe jo-bankat; si edhe zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave. I vetmi faktor që bankat perceptojnë se ka ndikuar në kahun rënës kërkesën për kredi të individëve ishte përdorimi i burimeve të brendshme të financimit, vlerëson Banka e Shqipërisë. (Monitor)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 21/07/2018 09:22

    Po, sepse biznesi e paguan kredinë ndërsa individi veshtirësohet. Ne këtë mënyrë banka e bën individin skllav. Për bankat nuk është dhe aq e rendesishme kthimi i borxhit në kohen e caktuar, sesa është “kontrolli i borxhit” Kur kontrollon borxhin, ndërton një grup të tere skllevërish.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit