/ATSH-E,Xhajanka/- Normat e interesit të aplikuara për kredinë e re në lekë kanë vijuar të ulen edhe në muajt tetor-nëntor, duke e ngjijtur treguesin e kreditimit në rritje progresive, bën të ditur Banka e Shqipërisë.
Në vrojtimin e aktivitetit kreditues, bankat shprehen se prirja për rënien e normës së interesit të kredisë në lekë do të vijojë edhe në tremujorin e ardhshëm. Marzhet e interesit të kredisë mbi interesat e instrumenteve të tjera në lekë janë ngushtuar, kryesisht si rrjedhojë e uljes së normave të kredisë.
Ndryshe nga tremujori i III 2014, normat e interesit të kredisë në lekë janë ulur më tepër për bizneset dhe më pak për individët, duke dhene impakt ne rritjen e kreditimit për ekonominë. Interesi afatgjatë, i cili lidhet kryesisht me kredi investimi, ka rënë mesatarisht në 7.4% në muajt tetor-nëntor, nga 7.9% në tremujorin e tretë, bën të ditur BSH-ja, ekspertet e së ciles shpjegojne se, krahas tij, edhe segmenti afatmesëm ka regjistruar ulje dhe niveli i tij mesatar për dy muajt e fundit rezultoi i zvogëluar me 0.25% nga tremujori i mëparshëm, në 10.31%.
Rënia e interesave afatgjata ka qenë e pranishme tek të dyja kategoritë (biznese, individë), duke mbështetur si kredinë hipotekare, ashtu edhe kredinë për investime.
Diferenca midis interesave afatgjata të kredisë së re dhe yield-eve të obligacioneve 5-vjeçare është ngushtuar dukshëm këto muaj në 0.82 pikë përqindje, nga 1.27 pikë përqindje në tremujorin e tretë. Diferenca midis interesit të kredisë dhe atij për depozitat në lekë gjithashtu ka rënë në dy muajt e fundit.
Interesat e kredisë në euro 
Interesat e kredisë në euro janë treguar të luhatshme, ndërkohë që, në terma mesatarë, niveli i tyre mbeti afërsisht i njëjtë me tremujorin e kaluar. Vlen për t'u theksuar ulja e interesave tek segmenti afatgjatë, e cila vijon prej disa muajsh, ndërkohë që segmentet e tjera kanë treguar luhatshmëri dhe rritje. Në analizë përdorimi, interesat për kredi të individëve janë zvogëluar, ndërsa ato për bizneset kanë njohur rritje. Diferenca midis interesit të kredisë dhe atij të depozitave në euro ka vijuar të zgjerohet, si pasojë e reduktimit të shpejtë të këtyre të fundit. Ecuria e tyre ka qenë e luhatshme, e ndikuar shpesh nga pesha dhe çmimi i aplikuar nga banka të caktuara, por këto lëvizje nuk kanë ndërhyrë në ndryshimin e prirjes rënëse.
Pavarësisht reduktimit të normave të interesit, kushtet e tjera të kreditimit të aplikuara nga sistemi bankar vazhdojnë të mbeten të shtrënguara. Përmirësimi i lehtë i tyre gjatë vitit 2014 u frenua në tremujorin e katërt, verejne ekspertet e Bankës Qendrore.