2026-a ka nisur me një rritje të lehtë të kredive me probleme. Referuar shifrave të fundit të Bankës së Shqipërisë në janar huaja e keqe u rrit në 3.85% nga 3.8% që ishte në dhjetor të vitit 2025. Rritja, edhe pse e lehtë, tregon për një përkeqësim të fuqisë së shlyerjes në kohë të kësteve të kredive nga qytetarët dhe bizneset.

KREDITË ME PROBLEME
Janar 2025       4.12%
Dhjetor 2025   3.80%
Janar 2026       3.85%

Kurse në krahasim me janarin e vitit të shkuar, kredia e keqe është në rënie me 0.27%, ku një nga faktorët me ndikim pozitiv në shlyerjen e kredive ka qene zhvlerësimi i valutave, që i ka bërë më të lira këstet e kthimit. Këto janë në fakt nivelet më të ulëta të kredive me probleme, pasi banka e Shqipërisë thotë se para 15 vitesh niveli i kredive të pakthyera ishte 25%.

KREDITË ME PROBLEME
Janar 2025      4.12%          
Janar 2026      3.85%          
Diferenca       -0.27%

E përkthyer në vlerë në total në bilancet e bankave tregtare në vend janë 36.1 miliardë lekë kredi me probleme, nga 34.6 miliardë lekë vjet në të njëjtin muaj. Rritja e kredisë së keqe në vlerë vjen për shkak të volumit më të madh të huasë që po jepet për ekonominë.

VLERA E KREDIVE ME PROBLEME
Janar 2025        34.6 mld lekë
Dhjetor 2025    35.8 mld lekë
Janar 2026        36.1 mld lekë

Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në janar totali i kredisë së dhënë për ekonominë ishte 939.3 miliardë lekë nga rreth 842 miliardë lekë vjet në janar. Rritja e shpejtë e kredisë është nxitur nga kërkesa e lartë për hua si nga bizneset kryesisht për investime, por dhe nga qytetarët që vijojnë të shtojnë borxhet në banka për të blerë shtëpi.