Evropa do të duhet të luajë një rol në negociatat e ardhshme për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, pasi Shtetet e Bashkuara deri më tani nuk kanë arritur ta bindin Kievin të pranojë një marrëveshje paqeje.
Kështu tha këshilltari për politikën e jashtme i presidentit rus Vladimir Putin, Yuri Ushakov në një intervistë me stacionin televiziv rus Vesti.
“Pas Anchorage, dukej sikur administrata amerikane mund të diktonte diçka dhe ta detyronte Kievin të bindej, por deri më tani kjo nuk ka funksionuar”, tha Ushakov, duke iu referuar samitit midis Donald Trump dhe Putin të mbajtur në Alaska në gusht 2025.
“Kjo sepse nuk mjafton vetëm të flasim me Kievin, duhet të flasim me të gjithë Evropën, e cila e mbështet plotësisht Ukrainën”, shtoi këshilltari i Kremlinit, duke shtuar se “ndoshta qëndrimi i Evropës në këtë kontekst është me rëndësi themelore”.
Ndërkohë Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një deklaratë për gazetarët, tha se të dyja palët duan të arrijnë një marrëveshje
"Shumë shpejt do të kemi bisedime trepalëshe me Ukrainën dhe Rusinë. Mendoj se të dyja palët duan të arrijnë një marrëveshje”, tha Trump.
Duke iu referuar vizitës së të dërguarit amerikan Steve Ëitkoff në Moskë, Trump shpjegoi se vizita shërbeu gjithashtu për të siguruar lirimin e Stephen Hubbard, një qytetar amerikan i ndaluar në Rusi.
"E solla në shtëpi thjesht duke i kërkuar Vladimir Putinit ta linte të kthehej. Dhe nuk dhashë asgjë në këmbim, sepse Putini mendoi se ishte një kërkesë e arsyeshme", shtoi ai.
I pyetur për marrëveshjet e mundshme ekonomike me Moskën, përfshirë ato për gazin e Alaskës dhe Lukoil, Trump u përgjigj: "Këto marrëveshje do të ndodhin herët a vonë. Por ne nuk do të lejojmë që diçka e tillë ta mbajë peng industrinë e naftës."

Foto: Volodymyr Zelensky
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se një takim midis rusëve dhe ukrainasve do të mbahet në nëntor, me ndërmjetësimin e SHBA-së, për të ringjallur negociatat e paqes, të cilat kanë ngecur që nga fillimi i vitit.
"Jemi gati të diskutojmë. Sa i përket çështjes territoriale, kjo duhet të adresohet në nivel udhëheqësish. Çështjet e tjera janë përgjegjësi e grupeve teknike. Prandaj, të gjitha këto mund të diskutohen në nëntor", deklaroi presidenti ukrainas.



Komente
Komento