/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Policia e Shtetit, më 13 janar 2015,  kremton 102 vjetorin e krijimit të saj. Për festimin e kësaj dite të shënuar për Policinë Shqiptare, nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit janë planifikuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të zhvillohen në datat 12 dhe 13 janar 2015.
Gjatë ditës së sotme, në kuadër të aktiviteteve të programuara, u zhvilluan vizita të nxënësve të shkollave dhe mësuesve në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu, u realizuan dhe takime të tyre me drejtues e specialistë të strukturave të Policisë së Shtetit, si të Drejtorisë së Studimeve Strategjike, të Drejtorisë së Policisë Rrugore,  të Sallave të Komandimit, etj.
Nxenes te shkollave dhe mesues vizituan ambientet e Drejtorise se Pergjithshme te Policise se Shtetit
Krahas tyre, nxënësit dhe mësuesit zhvilluan një takim të veçantë edhe me Zv/Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për Sigurinë Publike, Altin Qato.
Gjatë takimeve u zhvilluan biseda mbi historikun dhe zhvillimin e policisë ndër vite, sfidat me të cilat përballen punonjësit e policisë gjatë përmbushjes së detyrave, si dhe mbi përpjekjet e përditshme të çdo punonjësi policie për të garantuar më shumë rend e siguri për qytetarët.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe publikut si një element thelbësor në parandalimin e kriminalitetit.  Aktivitetet dhe ceremonitë festive për kremtimin e 102 vjetorit të Policisë së Shtetit do të vijojnë gjatë ditës së nesërme në të gjithë vendin.