Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha e shenjtë e Krishtlindjes, e cila u udhëhoq nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili bëri thirrje për paqe. Ai tha se paqja e njerëzve mbi tokë është dhuratë që vjen prej Zotit dhe i afrohet njerëzimit.
“Shpresa dhe lumturia nuk gjenden në pasurinë e tokës, as tek politika e pushteti, as te lavdia, por në mënyrë të mistershme fshihet brenda dhuntive dhe hireve që i marrim prej Zotit”, tha ai gjatë meshës.
![]()
Ai përmendi dhe luftën në Ukrainë, duke thënë se në botën në të cilën jetojmë, mosdurimi, urrejtja dhe konfliktet vazhdojnë të kërcënojnë dhe rëndojnë jetët e njerëzve dhe të ardhmen e popujve.
Imzot Dodë Gjergji tha se lutet për ato gra që janë vrarë ose vazhdojnë të torturohen nga ata që duhet të ju dhurojnë dashuri, pra bashkëshortët e tyre.
“Jemi dëshmitarë se çfarë po ndodhë në vendin tonë.. Mungesa e luftës dhe paqja e detyruar nuk ka krijuar kushte për pajtim, por vetëm sa ka akumuluar urrejtjen dhe mosbesimin”, tha ai, duke shtuar se secili njeri duhet të ruhet nga gjuha e urrejtjes dhe veprimet që nuk çojnë drejt pajtimit, por drejt konfliktit.
“Të përfshirët në lehtësimin e dialogut nuk duhet të presin që pajtimi të vijë vetvetiu, por të angazhohen më seriozisht dhe të jenë më të drejtë në gjykimet dhe propozimet e tyre, në mënyrë që të mos lejohet që një konflikt i ri të mos vijë në rajon”, tha ai.
Me rastin e festës së Krishtlindjes, Ipeshvkia e Kosovës organizoi edhe pritjen solemne, në të cilën morën pjesë personalitete nga jeta politike dhe kulturore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë pritje i uroi Ipeshkvit Dodë Gjergji dhe besimtarëve katolikë Krishtlindje të gëzuar. Presidentja Vjosa Osmani, i uroi të gjithë besimtarët e krishterë, siç tha, që në këtë ditë ta rrisin shpresën e t’i hapin zemrat.
“Në shtëpinë e secilit të mbizotërojë shëndeti, lumturia e paqja! Të jemi solidarë, të reflektojmë harmoni e të festojmë bashkë”, shkroi ajo në Facebook.
Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit./ REL

