Festime të veçanta në pandemi dhe 'orë policore', besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët: Lutjet tona shkojnë për të intubuarit me COVID-19

TIRANË- Besimtarët e krishterë, kremtojnë sot Pashkët, momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.

Këto Pashkë, në ndryshim nga një vit më parë, rikthehen besimtarët në objektet e kultit, në meshën që nuk u mbajt në mesnatë siç e kërkon tradita. Për shkak të orës së policore e cila është deri në 20:00, mesha u mbajt në orën 17:00 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi për t'u kthyer në shtëpi.  Mesha në katedralen e Shën Palit u mbajt nga Kryeipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo, e ndërsa të pranishëm ishte një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, të cilët ishin të pajisur me maska.

Në mesazhin e tij të urimit, Arqipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo u shpreh se besimi jep shpresë e kurajë, për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira, duke u ndalur edhe personat e infektuar me koronavirus. Imzot Frendo kërkon mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë, pasi jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit.

Ndërkohë, Arqipeshkivi i Shkodrës, Angelo Masafra ka uruar nga qendra e rehabilitimit, ku po merr veten pasi fitoi betejën me COVID. Ai thotë se Pashkët nuk janë përfundimi i Kreshmëve. Masafra falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë betejës me COVID, ndërsa i kërkon besimtarëve të vazhdojnë lutjen për të dhe për të gjithë të sëmurët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:07
Sot kremtohen Pashkët, Meta: Ditë më të mira na presin dhe do të vijnë patjetër

1614178277_Screenshot4.jpg

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.

“Të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë, motra e vëllezër shqiptarë kudo ndodheni: gëzuar nga mot Pashkën!

Drita e Hyjit të ndriçojë përherë zemrën dhe familjet Tuaja! Pandemia, për të dytin vit, na detyron të kremtojmë larg njëri-tjetrit fizikisht, por shumë më afër shpirtërisht, këtë festë të shenjtë dhe frymëzuese, që lajmëron triumfin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen, të dritës dhe të shpresës mbi errësirën dhe dëshpërimin, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë dhe gënjeshtrën, të humanizmit e dhembshurisë mbi babëzinë dhe arrogancën.

Me besimin në Zot dhe në solidaritet me njëri-tjetrin kemi gjetur forcën dhe kurajën për të kapërcyer sprova të panumërta në këto kohë të vështira. Jemi përpjekur të jemi më bashkëpunues për të ndërtuar një të nesërme më të mirë, më të paqtë e të begatë për njerëzit në nevojë dhe për të ardhmen e sigurt të popullit dhe të Shqipërisë tonë.

Duke ju bashkuar lutjeve Tuaja për shërim sa më të shpejtë të të afërmve të prekur nga pandemia, kemi ende nevojë të tregojmë më shumë vëmendje veçanërisht ndaj shtresave në nevojë, të pamundurve e të sëmurëve, fëmijëve dhe të moshuarve, të cilët meritojnë më shumë mbështetje, ndihmë konkrete, përkrahje dhe dashuri më të madhe prej nesh. Vendi ka nevojë për shpresë, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre, ku të jetojnë të qetë dhe të ndërtojnë të ardhmen e sigurt, siç na porositi Papa Françesku gjatë vizitës së Tij historike në Tiranë.

Drita, që lind sot jam i bindur se do të ndezë edhe më shumë shpresën dhe kurajën në zemrën dhe mendjen e çdo shqiptari, për të mposhtur me besim në Zot të keqen, kudo ndodhet dhe në çdo formë që shfaqet. Ditë më të mira na presin dhe do të vijnë patjetër! Mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia mbizotëroftë tek çdo familje”, shkruan Meta.

Ora 21:31
Sot kremtohen Pashkët, qytetarët për Report Tv: Lutjet tona shkojnë për të intubuarit me COVID-19

Besimtarët e katolikë në të gjithë vendin, sot kremtojnë Pashkët dhe dërgojnë lutjet e tyre për të gjithë shqiptarët.

Në Durrës, Korçë dhe Berat, momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike që shënon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit, po pritet me këngë dhe lutje.

Për mikrofonin e Report Tv, kanë folur disa besimtarëve katolik, të cilët sot kanë dërguar lutjet e tyre për të gjithë njerëzit, por veçanërisht për të prekurit me COVID-19.

 “Lutjet e mia në radhë të parë shkojnë për ata qe po vuajnë aktualisht, për ata që janë të intubuar, për ta që janë në spital, për ata që janë në kufi të fijes së shpresës, për të pastrehët dhe për përfundimit sa më shpejt të kësaj pandemie.”, tha një qytetar nga Durrësi.

“Unë uroj që jo vetëm shqiptarët po mbarë bota gjithë njerëzit komuniteti ynë të bëhet më i durueshëm ndaj kësaj situate dhe të tregojë dashurinë, respektin dhe tolerancës ndaj njeri tjetrit.”, tha një tjetër qytetare nga Durrësi.

Një vajzë e re nga Berati, ka dhënë mesazhin e saj në këtë ditë të shënuar, duke hënë se sot që kremtohet ringjallja e Krishtit, në këto kohë të vështira që po jetojmë është të lutemi për shëndetin dhe paqen në botë.

 “Për të gjithë besimtarët e krishterë sot jemi në vigjilje të Pashkëve dhe kremtojmë ngjalljen e Krishtit. Mesazhi më i fuqishëm në këto kohë pandemie që po jetojmë është të lutemi për shëndetin edhe për paqe në botë. Kemi meshën sot, ndezim zjarr më pas ndezim një qiri që përfaqëson dritën e Krishtit dhe këndojmë “dritën e Krishtit”, më pas vazhdojmë me liturgjinë”, u shpreh ajo.

 “Sot është vigjilja e pashkës, kryhet të shtunën pasdite, ku përkujtohet ringjallja e Krishtit që jep mesazhin për një jetë të re dhe sa më të mirë. Lutjet e mia sot shkojnë për të gjitha ata që janë të prekur nga COVID-19.”, tha një tjetër besimtar nga Berati.

Për priftin Don Riccardo Scorsone, këto Pashkë janë të veçanta, për një arsye madhore, sepse besimtarët janë kthyer në Kishë.

“Këto pashkë janë të  veçanta sepse vitin e kaluar nuk patëm mundësi për t’u mbledhur në kishë për kremtimet e pashkës sepse kemi jetuar një kohë shumë të vështirë, por falë Zotit kemi mundësinë këtë vit për t’u mbledhur dhe për të festuar bashkë pashkët. Janë pashkë të veçanta sepse pikërisht në këtë vit jemi thirrur për t’u ringjallur nga ato situata që na kanë penguar shume për shkak të pandemisë .Ishte një situatë që na  solli frikë shkurajim mosbesim konfuzion trishtim, dëshpërim Nga ato situata duhet të ringjallemi sidomos në këtë ditë”, tha prifti katolik Don Riccardo Scorsone.

Ora 18:54
Imzot Frendo thirrje politikanëve: Zhvilloni një fushatë të pastër e dinjitoze

Gjatë mbajtjes së meshës, imzot George Frendo ka përçuar edhe një mesazh për politikanët, nisur nga fakti që vendi është në fushatë elektorale.

“U bëj thirrje kandidatëve të bëjnë një fushatë zgjedhore të pastër, dinjitoze, pa e ulur nivelin në fyerje, sharje, poshtërime, të karakterit personal apo familjar”, tha imzot Frendo.

Ora 18:42
Kremtohen Pashkët katolike, Meta shpërndan mesazhin e George Frendos drejtuar të rinjve: Shqipëria ka nevojë për ju! Jeni e ardhmja e saj

Me rastin e ditës së Pashkëve, presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka shpërndarë mesazhin e George Frendo "Shqipëria ka nevojë për ju! Jeni e ardhmja e saj!", ku i është drejtuar veçanërisht të rinjve.

Meta në postim ka falënderuar Presidentin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe të gjithë udhëheqësit e ndritur fetarë, që në momentet më kritike për vendin sipas tij dhe në ditët më të vështira ka sjellë shpresë për kapërcimin e çdo sfide.

Ora 17:41
Ruçi uron besimtarët katolikë për Ditën e Pashkëve: E mira mund të keqen, ngjarjet e tjera në vijim, do i festojmë siç kemi traditën

Me rastin e Ditës së Pashkëve, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar besimtarët katolikë dhe gjithë shqiptarët.

Ndërsa thotë se ky është i dyti vit radhazi që i kremtojmë Pashkët shpirtërisht të gjithë bashkë, dhe individualisht në vatrat familjare për shkak të pandemisë, Ruçi shpreh bindjen se ngjarjet e tjera në muajt në vijim, do t'i festojmë ashtu siç e kemi traditën.

Sipas Ruçit, Pashkët na frymëzojnë se e mira mund të keqen dhe shpresa mund dëshpërimin.

“Është i dyti vit radhazi që Pashkët i kremtojmë, shpirtërisht të gjithë bashkë, dhe individualisht në vatrat familjare. Një gjë është e sigurt: Pashkët dhe ngjarjet e tjera në muajt që vijnë do t’i festojmë ashtu si e kemi traditën, duke gëzuar dhe duke u përqafuar me njeri-tjetrin. Viti midis dy Pashkëve ka qenë një vit dramatik dhe i vështirë, që na kufizoi nga mjaft gëzime të jetës. Por njëkohësisht vuri në provë fuqinë tonë shpirtërore e njerëzore, solidaritetin dhe dashurinë për njeri-tjetrin. Pashkët simbolizojnë rilindjen, besimin dhe triumfin e jetës. Pashkët na frymëzojnë se e mira mund të keqen dhe shpresa mund dëshpërimin. Pandemia na imponoi distancën nga njeri-tjetri, por na afroi më shumë shpirtërisht. Pandemia na kufizoi, por ne duket se po e sfidojmë atë.  Bashkë me urimin shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për Kishën Katolike dhe besimtarët katolikë për mbështetjen dhe frymëzimin e të gjithë shqiptarëve në këtë betejë që na u imponua, në mes të gëzimeve, punëve, detyrave e misioneve tona. Gëzofshi të gjithë në vatrat familjare!”, shkruan në urimin e tij Ruçi.

Ora 16:25
Kardinali, Ernest Troshan Simoni uron Pashkët: Krishti i ngjallur sjelltë te ju shëndet, pasuri, begati e lumturi

 

Kardinali 93-vjeçar, Ernest Troshan Simoni ka uruar besimtarët katolik për festën e PAashkëve, teksa thekson se ngjallja e Krishtit shënon në etapë të re në historinë e njerëzimit.

“Dita e Pashkës shënon ndarjen e historisë midis epokës së vjetër dhe epokës së re, plot dritë.

Njeriu ka nevojë për shpresën, për amshimin. Ju uroj Pashkët, Krishti i ngjallun t’ju përcjell në zemnat  e të gjithëve që t’ju japë jetë, shëndet, pasuri, begati e lumtuni. Krishti qoftë jeta, shpërblimi, begatia i jetës në këtë botë”, shprehet ajo. 

Ora 13:25
Pashkët Katolike, Imzot George Frendo: Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë

Besimtarët katolikë do të kremtojnë sot Pashkët, ndërsa Arqipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo, ka reaguar nëpërmjet një urimi. Frendo thotë në mesazhin e tij se besimi jep shpresë e kurajë, për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira, duke përmendur edhe personat e infektuar me koronavirus.

Imzot Frendo kërkon mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë, pasi jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit.

Po ashtu ai i është drejtuar edhe të rinjve që ëndërrojnë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur, ku thotë se kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar, por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero.

"Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtar. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj", thotë Imzot Frendo.

Mesazhi i plotë i Imzot George Frendo:

Të gjithë ata që e takuan Jezu Krishtin e ngjallur morën një urdhër: “Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi”. Prandaj le të dëshmojmë mesazhin e Pashkës. T’ia dëshmojmë asaj vajze që e shet trupin e vet në mes të natës, e t'i themi: “Jezusi ka flijuar trupin e vet për të t'i dhënë një trup që nxit respekt”. T’ia dëshmojmë atij burri që e shfren dëshprimin e tij në pornografi ose alkol apo drogë, e t'i themi: “Jezusi të ka treguar rrugën e asaj të vërtete që të bën të lirë, mos cakto rrugën që të bën skllav të pornografisë, të alkolit apo të drogës”. T’ia dëshmojmë atij të riu që e humbi besimin e tij sepse mendon se besimi në Zotin është besëtytni, e t'i themi: “Vetëm në besimin në Zotin jeta jonë mund të gjejë domethënien e vet, ndryshe është absurditet”. T’ia dëshmojmë atyre që planifikojnë të vetëvriten, sepse nuk shohin asnjë të ardhme, asnjë shpresë, e t'u themi: “Besimi lind në ju atë shpresë që ju jep kurajë për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira”. T’ia dëshmojmë edhe atyre që po vuajnë për shkak të përhapjes së koronavirusit, që ka krijuar shumë probleme për shumë familje. Por le të jetë kjo situatë si një shkollë për ne, që ishim bërë tepër viktimë materializmi dhe konsumizmi. Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit.

Dhe t’ia dëshmojmë të rinjve që kultivojnë një ëndërr, që një ditë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur. Kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar. Por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtar. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: jeni e ardhmja e Shqipërisë. Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, fitoren e shpresës mbi dëshprimin. Ngjallja e Krishtit le t’ju dhurojë vendosmëri që Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur. Ëndrra e vetme e Jezusit ishte që me shembullin e jetës së tij të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese. Le të jetë kjo edhe ëndrra juaj.

Ata që kishin vendosur shpresën e tyre në Jezusin e Nazaretit, kur e panë Jezusin e arrestuar, frushkulluar dhe kryqëzuar menduan se të gjitha shpresat dhe vetë jeta e tyre u shkatërruan. Por doli dielli i Pashkëve, janë takuar me Jezusin i cili i përshëndeti me fjalë: “Paqja me ju” dhe i ngarkoi me misionin: “Shkoni te vëllezërit e mi e thuajuni se unë jam i gjallë, dhe do të jem gjithmonë me ju”.

Pranoni edhe ju, të dashur vëllezër e motra, këtë mision. Shpallni lajmin e Krishtit: Zoti është me ju! Aleluia, aleluia!

Ora 13:25
Kremtohen sot Pashkët, Imzot Angelo Masafra uron nga qendra e rehabilitimit pasi fitoi betejën me COVID-in

 

Arqipeshkivi i Shkodrës, Angelo Masafra ka uruar nga qendra e rehabilitimit, ku po merr veten pasi fitoi betejën me COVID. Ai thotë se Pashkët nuk janë përfundimi i Kreshmëve. Masafra falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë betejës me COVID, ndërsa i kërkon besimtarëve të vazhdojnë lutjen për të dhe për të gjithë të sëmurët.

Mesazhi i plotë i Arqipeshkivit të Shkodrës
Të dashur vëllezër dhe motra, duke qenë e pamundur të jem i pranishëm personalisht në mesin tuaj për shkak të sëmundjes që po më detyron të qëndroj në Spital, gjë që po zgjatë tashmë më shumë se një muaj, dëshiroj të jem i pranishëm me këtë mesazh për të reflektuar së bashku mbi dhuratën pashkore të Krishtit të Ringjallur, shpresa jonë e vetme. Tingulli i natës së këmbanave të të gjitha kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. Janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.

Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re, pasi që i kemi rënë mohit të keqes dhe mëkatit të futur në natyrën tonë; mohimi i së cilës Kreshmët kanë qenë një simbol, por edhe një rrugë konkrete. Por cili nga ne mund të thotë më të vërtetë se është i aftë për të bërë, në mënyrë të përsosur, zgjedhje për një ndërrim rrënjësorë? Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtireje, për të arritur oaze freskuese të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen. Është gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë.

Njeriu, në fakt, nuk shëlbohet vetëm: sikur të varej nga ne, do tu kënaqnim në zakonet tona, në “kështu është bërë gjithmonë”, dhe do të qëndronim në një gjendje vdekjeje të parakohshme, pa shpresë, pa aspirata, por vetëm me ato gjëra që ndodhin përpara syve tanë për të kënaqur nevojat e menjëhershme të mbijetesës. Por gjithashtu edhe këtë vit dora provanore e Zotit i shtyu besimtarët e tij për të përshkuar shkretëtirën kreshmore “për të arritur të përtërirë në festën e pashkëve” (lutja e të enjtes së javës së IV të Kreshmëve);

- Na ka bërë imitues të atit tonë Abrahamit i cili braktisë gjithçka për ecjen që do ta çojë në takim me Hyjin i cili premton risinë e jetës; - Imitues të etërve tanë në ikje nga Egjipti me shpresë që të arrijnë tokën e premtuar; - Imitues të Zotit tonë Jezu Krisht, solidar me ne në shkretëtirën e zhveshjes, ku njerëzimi ynë vihet përballë tundimit që të dalim fitimtarë, të forcuar me Fjalën e Zotit, shpëtimin e vetëm kundër së keqes.

Dhe ja tani Pashkët, oazë freskie që shuan etjen tonë në këtë fazë të jetës; të gatshëm për të filluar rrugëtimin, pas zhytjes freskuese në ujërat e Pagëzimit, nga i cili jemi rilindur në jetë të re: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4). Ecja që na vihet përpara, pra, ka shijen e jetës së re; dhe ky është urimi im i Pashkëve të Shenjta për këtë vit, 2021.

- Një jetë të lirë nga mëkati sepse është e palëkundshme në dashurinë e “Atij që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 5, 21);

- Një jetë në përputhje me vullnesën e Hyjit dhe në shenjtëri, në shembullin e Krishtit, i cili duke ardhur në botë thotë: “Ja, unë po vij për të bërë vullnetin tënd. (...) Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë e përgjithmonë”. (Heb 10, 9- 10 );

- Një jetë të shënuar nga bamirësia, në shembullin e Atij që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të”. (Vap 10, 38b); - Një jetë nën veprimin e Shpirtit të mëshirës të dhënë nga Ai që, i Ringjallur, hukati mbi dishepujt natën e Pashkëve dhe tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. (Gjn 20, 22b-23); Dhe me Shën Palin unë ju bëj thirrje: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit”. (Kol 3, 1). Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë, pa dallim: ju më keni mbështetur në këto Kreshme të veçanta për mua. Krishti i Ringjallur ju bekoftë, gjithashtu edhe unë ju bekoj dhe ju kërkoj që të vashdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët. Pashkë të Shenjta.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Benbeni: 04/04/2021 06:49

    A pa pa pa, klubet kan qen gjithmon me qytetar pa maska,per pasket permendet pandemija,hajt tum

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës