TIRANË – Ndryshimet në radhët e policisë së shtetit rikthyen sot në Tiranë një nga emrat më të njohur dhe të përfolur të kësaj strukture. Krenar Ahmeti rikthehet në postin e Drejtorit të Policisë Rrugore të kryeqytetit, pas gati 5 vitesh. Ai ka lënë postin e zv/drejtorit të Policisë së Durrësit i cili nga sot do të drejtohet nga Asllan Shyti. 

Ndryshimi është bërë pas marrjes së gradave të reja në Shkollën e Formimit Policor dhe Krenar Ahmeti vjen në Tiranë, me një gradë më shumë.

BEMAT E KRENAR AHMETAJT

NGA PERPLASJA ME ESKORTEN E KRYEMINISTRIT E LIDHJA ME ZINXHIRE PER TE NDALUAR PROTESTEN PS


Gjatë kohës që mbante postin e shefit të sigurisë rrugore, 2007- 2008  Krenar Ahmeti ishte i njohur nga qytetarët e Tiranës për veprime  arbitrare madje me një dhunoi dhe fyeu një prokurore, Elizabeta Imeraj dhe bashkëshortin e saj,  avokat Agron Bajri dhe gjykata e dënoi  me gjobë për "shpërdorim detyre". Përplasja me makinë në gjendje të dehur me eskortën e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, më 13 janar 2009 i kushtoi shkarkimin nga detyra.

Ndërsa më 26 qershor 2009 realizoi një "show" publik, teksa u fut poshtë një makine të tonazhit të rëndë që po transportonte pajisjet për të ndërtuar skenën ku do të zhvillonte PS-ja mitingun e fundit për të kundërshtuar rezulatin e zgjedhjeve, pasi sipas PS-së zgjedhjet ishin vjedhur. Krenar Ahmeti, atëherë ishte larguar nga posti  Shef Qarkullimi në Tiranë  u lidh me pranga poshtë një kamioni, mbi të cilin ishin paisjet e skenes ku do të mbanin fjalën e tyre përfaqësuesit e PS-së para kryeministrisë. Policia e quajti protestën të paligjshme dhe kishte vendosur kordon për të mos lejuar protestën por turma e simpatizantëve PS ka çarë kordonin e punonjësve të policisë, ndërsa Ahmeti është futur me shpejtësi poshtë mjetit që priste të lëvizte.

Ai ishte lidhur me pranga në pjesën e poshtme të automjetit, pikërisht në pjesën e rrotave të përparme. Thirrjeve të vazhdueshme për të dalë që andej janë injoruar nga ai. Pas disa minutash, dikush e ka urdhëruar që të dalë prej andej. Në atë kohë dikush thoshte se ai u bind nga vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe drejtori i Përgjithshëm i
Policisë së Shtetit.  Ahmeti u justifikua tek eprorët pas ngjarjes se: "Zbatova urdhrat, pasi mitingu ishte i paligjshëm".
Në vend të Krenar Ahmetit, Tonin Vocaj, atehere Drejtori i Policisë së Tiranës emëroi Nazmi Shulin.

CV E KRENAR AHMETIT

Krenar Ahmeti ka lindur në 1978-ën,  është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ne vitin 1998 ka mbaruar Akademinë në Turqi me rezultate të shkëlqyera; në vitet 1998-99, ka punuar në Komisariatin e Policisë në Burrel; në vitet 1999-2005 ka punuar tek Forcat Speciale në Tiranë; në vitet 2005-2007 ka punuar në Strukturat Speciale të Anti-Krimit; në vitet 2007-2008, Shef Qarkullimi në Tiranë me gradën " Kryekomisar". Në 2003-2004, ka qënë në Akademinë Franceze. Në vitet 2004-2008, diplomohet për "Psikologji", dega "klinicist".

Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)