Krerët e dy besimeve në Fier kanë shprehur shqetësim për pyetjet e censit. Kreu i kishës ortodokse, Hiresi Nikolla tha se pyetja “nëse jeni praktikant i fesë po ngatërron qytetarët”.

“Ata që kanë menduar për pyetjet, kanë menduar që kjo pyetje të jetë fakultative. Ndërsa ne mendojmë se kjo pyetje duhet të ishte me detyrim. Pyetje e parë është a jeni praktikant? Kjo është e ngatërruar sepse shumë njerëz nuk e kuptojnë ccfarë do të thotë të jesh praktikant sepse jo të gjithë besimtarët nuk i kryejnë ritet. Kështu që kjo pyetje i ngatërron pak. Ndaj ne u bëjmë thirrje besimtarëve ortodoks të përgjigjen me po për të dyja pyetet për besimin”, u shpreh At Nikolla.

Ndërsa myftiu i Fierit Mikel Haxizolli ka shprehur shqetesimin se mbi plotësimin e formularit nga ana e anketuesve. Ai i bëri thirrje besimtarëve ta plotësojnë vete formularin dhe të deklarojnë saktë përkatësinë fetare.

“Ne na kanë ardhur shqetësime nga besimtarët, sepse kanë shkuar anketuesit u kanë dhënë na jepni emër mbiemer se ne i plotësojmë vetë pyetjet. Besimtarët janë të shqetësuar. Kjo duhet rreguar nga ana e INSTAT, secili duhet ti plotësojë vete pyetjet. Ndërsa problemi tjetër është për pyetjen. A jeni praktikant? Kur e bën këtë pyetje njerëzit e kuptojnë se është për pjesën e faljes. Kjo pyetje duhet të ishte më serioze”, tha myftiu.

Censi i Popullsisë dhe Banesave nisi që prej datës 18 shtator. 7500 anketues do të trokasin në çdo shtëpi qytetari për të plotësuar pyetësorin. Rezultatet priten të dalin në qershor të vitit 2024.