TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është vënë në dijeni sot nga Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Nicholas Cannon, se kryetarët e Dhomës së Komunëve dhe Lordëve kanë shprehur interes për të vizituar Shqipërinë.
 
Vizita e tyre është në kuadrin e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve parlamentare mes dy vendeve.
 
Meta e ka pritur sot në selinë e Kuvendit, ambasadorin Canoon, i cili i ka shprehur kreut të Kuvendit, urimet për detyrën e re dhe e ka siguruar për mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme të vendit të tij  si në planin dypalësh, ashtu edhe në drejtim të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
 
Për këtë qëllim, Kryetari i Dhomës së Komunëve në Parlamentin britanik,  z.John Bercoë  dhe Kryetarja e Dhomës së Lordëve, Baroneshë D’Sousa kanë shprehur interes për të vizituar Shqipërinë dhe tashmë po punohet për realizimin e këtyre vizitave të nivelit të lartë.
 
Edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka shprehur vullnetin e  tij të plotë për intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare  midis dy vendeve.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)