Kreu i CIA-s ua ‘mbledh’ liderëve mistrecë të Ballkanit

Kreu i CIA-s ua ‘mbledh’ liderëve mistrecë të Ballkanit

William Burns dhe Albin Kurti

SHBA me sa duket e ka humbur durimin me liderët mistrecë të Ballkanit, dhe ka vendosur t’ju japë një mesazh të përbashkët paralajmërues, që të mos u shkojë në mendje më që të shkelin ‘vijat e kuqe”.

Ndoshta u ka dhënë mesazhin e fundit, pasi situata në të cilën ndodhet rajoni, në kufi me zonën më të nxehtë të luftës pas agresionit rus në Ukrainë, përshkallëzimit të konfliktit atje, përfshirë dhe vatrën e ndezur tashmë në Lindjen e Mesme, ku Irani është gati për hakmarrje ndaj Izraelit që mund të zgjerojë konfliktin në këtë rajon, nxjerr në emergjencë evitimin e konflikteve të panevojshme në rajonin tonë të trazuar.

Aq më tepër që këto përplasje, për hir të së vërtetës të kontrolluara nga liderët mistrecë të rajonit thjeshtë dhe vetëm për të fituar mbështetje për axhenda të brendshme politike, nuk përjashtojnë mundësinë që në fund të herës të jenë të njehsuara dhe me axhendën e Rusisë, e cila është shumë e interesuar për një vatër të ndezur tensioni, qoftë dhe fiktive në Ballkan.

Parë në këtë këndvështrim, qeveria e SHBA ka nisur për një tur special ballkanik as më pak dhe as më shumë po vetë kreun  e CIA-s amerikane William Burns, i cili ka ‘prekur’ në këtë tur të shpejtë dhe tepër diskret tre vatrat e një konflikti të mundshëm në Ballkan. Uashingtoni pra sjell në rajon njeriun më të fuqishëm në SHBA pas Presidentit, çka tregon prioritetin e madh që ka Ballkani për Amerikën.

Në fillim kreu i CIA-s vizitoi Sarajevën e zhvilloi takime me krerët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA.

Nuk janë bërë të ditura rezultatet e bisedimeve në Sarajevë, çka lë për të kuptuar se Burns nuk ka ardhur për të dialoguar por ka zbarkuar në Ballkan për të dhënë mesazhe të prera dhe të fundme për liderët karagjozë të këtij rajoni, që t’i lënë ‘piruetat’ dhe të orientohen nga paqja dhe siguria në këtë rajon të trazuar.

Rezultati i takimit të shefit të CIA-s amerikane në Sarajevë ishte i menjëhershëm, teksa janë bërë publike dhe qëndrimet e Dodik. I cili përkundër deklaratave të mëhershme për një ndarje të mundshme të Bosnjës e bashkimin e pjesës serbe me Serbinë për të ashtquajturën “Bota Serbe”, pas takimit me kreun e CIA-s kishte ndryshuar ‘pllakë’. Duke deklaruar se as që e mendonte ndarjen dhe destabilizimin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Millorad Dodik, presidenti pro-rus i entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, 
një ditë më vonë, deklaroi tekstualisht se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

Mesazhi i kreut të CIA-s në Sarajevë për Dodik dhe mbështetësit e tij ka bërë punë me sa duket me efekt të menjëhershëm, teksa ka ardhur pas disa mesazheve të mëparshme të DASH që i kishin kujtuar Dodik se dinin dhe se ku i kishte paratë. Kur mblidhet ‘rripi’ mblidhet tamam me sa duket, dhe kështu marrin vesh liderë të tillë.

Vizita e dytë e shefit të CIA-s ka qënë në Beograd, ku burime jozyrtare bëjnë me dije se është takuar me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kreun e shërbimit sekret të këtij vendi (BIA). Nuk ka informacione për çfarë është biseduar konkretisht, por duket se Burns ka qënë i prerë dhe në këto takime, teksa ka përcjellë mesazhe për Beogradin zyrtar mbi rëndësinë e stabilitetit në rajon, për t’i dhënë fund nxitjes së konflikteve në Veriun e Kosovës, dhe arritjes së një paqeje mes dy vendeve, në favor të stablitetit aq shumë të dëshiruar në rajonin e Ballkanit.

Dhe vetëm një ditë pas vizitës në Beograd të Burns, Departamenti amerikan i Shtetit tha se vlerëson partneritetin e vazhdueshëm të Serbisë "në luftimin e agresionit të Rusisë në Evropë dhe në ndihmën humanitare për popullin ukrainas”. Në një përgjigje dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, DASH nënvizoi se bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara me udhëheqësit serbë është i fokusuar në "forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, teksa Serbia ndërton të ardhme të sigurt dhe prosperuese në Evropë që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë".

Ndërkohë që një ditë më parë kreu i CIA-s Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti. Nuk ka informacione zyrtare mbi temën e bisedimeve, por ia vlen të theksojmë se mesazhi amerikan ka qënë i prerë për institucionet e Kosovës, që të mos marrin vendime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë që do të vinte paqen dhe stabilitin në rrezik.

Dhe aq shumë mesazhe ka pasur për të përcjellë kreu i CIA-s për Prishtinën zyrtare, sa që Burns ka pritur kthimin me urgjencë nga SHBA në Prishtinë të kreut të qeverisë së Kosovës Albin Kurti, i cili ka qënë pjesëmarrës në konventën demokrate ku përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike amerikane.

Kurti ka udhëtuar për gjithë natën që të jetë në takimin e mëngjesin e sotëm me kreun e CIA-s. Me sa duket Burns ka dashur t’ia komunikojë direkt mesazhin amerikan Kurtit, i cili thuajse në të gjitha herët ka vepruar gjatë gati katër viteve të qeverisjes së tij në kundërshtim me qëndrimet e amerikanëve dhe të evropianë, aq sa tashmë konsiderohet si ‘non grata’ prej tyre dhe për më tepër që Kosova vijon të vuajë sanksionet e BE.

Vizita e Burnsit në Kosovë dhe takimet me presidenten, kreun e shërbimit sekret dhe me Kurtin vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti. SHBA dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Ndërkaq, DASH i ka kërkuar qeverisë ‘Kurt’i që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Nuk ka informacione të detajuara se çfarë është diskutuar konkretisht mes Burns dhe Kurtit, pasi kreu i CIA-s nuk takon askënd për të dialoguar por për të dhënë mesazhe të qarta dhe të prera për rëndësinë që ka siguria në Kosovë dhe rajonin e trazuar të Ballkanit e mbi të gjitha me sa duket është kërkuar të hiqet dorë nga përdorimi i konfliktit në veri për axhenda të ngushta politike, që në fund të herës me dashje apo pa dashje i shërbejnë axhendës ruse në Ballkan. Ndërkohë që përjaqshtohet mundësia që kreu i CIA-s Burns të ketë diskutuar në takimin me Kurtin për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të Kosovës në këto tre vite, sikurse njofton zyrtarisht qeveria e Kosovës për takimin.

Me sa duket mesazhi ka qënë tepër i rëndë për Kurtin, pasi as presidentja Osmani dhe as Ajeti i shërbimit sekret nuk kanë marrë përsipër t’ia përcjellin kreut të qeverisë së Kosovës porositë e kreut të CIA-s, duke e detyruar vetë Burns që të qëndrojë dhe një ditë në Prishtinë, për t’ia komunikuar direkt Kurtit mesazhet amerikane. Duke i kërkuar prerë që të ndalojë spekulimin se do ketë luftë në Veri. Pra s’ka luftë në Kosovë as në Ballkan, ndaj duhen lënë retorikat e luftës.

Ndoshta do të jetë mesazhi i fundit i qeverisë amerikane për kryeministrin Kurti, pasi Kosova më 9 shkurt të vitit të ardhshëm do zhvillojë zgjedhjet parlamentare e me shumë gjasa Vetëvendosja do të humbë, si rezultat i keqqeverisjes së vendit, konfliktit me aleatët SHBA e BE dhe vënien e Kosovës nën asnksione dhe të qeverisë në kushte ‘non grata’, tensionimit të situatës për nevoja politike në Veri e krijimit të psikozës së luftës, largimit të Osmanit e grupit të saj në të ardhmen nga aleanca me Kurtin si dhe faktit që në zgjedhjet e fundit vendore Kurti ka marrë vetëm katër komuna periferike.

Rezultati i takimeve të Burns me Kurtin do të shihet në deklaratat e mëvonshme të Kurtit në publik, Dodik e dha ‘shembullin personal’, teksa deklaroi se nuk mendonte më si separatist në Bosnje. Të shohim Kurtin, por dhe Vuçiçin, nëse do vijojnë ‘tangon dyshe’ të përplasjes me konsesus mes tyre në funksion të axhendave politike apo do jenë ‘qengja të butë’.

Turi i kreut të CIA-s në tre vendet e rajonit, të paralajmëruar si vatra të nxehta konflikti që mund të destabilizojnë Ballkanin, pa përjashtuar lajmet e pakonfirmuara të vizitave të tij në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, tregon interesin e lartë strategjik të SHBA për rajonin tonë si dhe angazhimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për ta mbajtur larg konflikteve të mundshme.

Nga ana tjetër, mesazhet e prera për liderët mistrecë të Ballkanit tregojnë dhe njëherë qartë, se SHBA nuk ka ndërmend që ta lërë rajonin në varësi të humorit të këtyre karagjozëve që me dashje apo pa dashje i shërbejnë axhendave të Kremlinit.

Sa për Shqipërinë, nga SHBA shihet si faktor stabiliteti në rajon, ndërkohë që opozita anti-SHBA dhe anti-Perëndim, pavarësisht retorikës që përdor ditë pas dite kundër ndërkombëtarëve, shihet pa asnjë rrezik, për të paktën dhe dekadën e ardhshme. Pasi askush nuk i ndjek pas në axhendën e tyre kundër Perëndimit dhe tentativave për destabilizim të vendit. S’kanë fuqi me një fjalë dhe nuk i llogarit askush.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër