Presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi ka bërë ankesë në drejtim të Armand Dukës, lidhur me banderolën diskriminuese "Kosova është Serbi" në ndeshjen kualifikuese të grupit I për Euro 2024, mes Rumanisë dhe Kosovës, zhvilluar disa ditë më parë në Bukuresht.

Ndeshja u ndërpre për 52 minuta, para se Rumania të fitonte 2-0.Tanimë Ademi është ankuar te homologu i FSHF-së, njëherazi edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA.

Pritet që në mbledhjen e radhës të UEFA-s, Armand Duka ta adresojë çështjen në organet më të larta të institucionit të futbollit evropian.

"Rreth rastit të ndodhur në Rumani sot paraqita ankesë edhe të presidenti Armand Duka, i cili në cilësi të anëtarit të KE të UEFA-s është mbikqyrës dhe e mbulon edhe Kosovën. Ai si i deleguar i regjionit do ta adresojë ankesën tonë në mbledhjen e radhës të KE të UEFA-s", ka njoftuar Ademi.