TIRANE - Përgjohet ish-presidenti i Republikës Bamir Topi në banesën e tij te “Fresku” që është rrugës për në Dajt. Ngjarja ka ndodhur ditën e diel teksa një helikopter i efektivit të Forcave të Armatosura ka qëndruar për shumë minuta mbi vilën e ish-presidentit në këtë zonë, më saktësisht mbi bahçen e tij pesë metra mbi nivelin e tokës, duke realizuar një akt të paprecedentë dhe një presion të paparë mbi familjarët e ish-kreut të shtetit, të cilët kanë qenë brenda shtëpisë.(Foto: Vila e ish presidentit Bamir Topi tek Fresku ne Tiranë)

Por kanë shqetësuar dhe banorët e kësaj zone përreth, për shkak të kësaj ngjarje të pazakontë dhe të pangjarë më parë. Teksa ish-presidenti Bamir Topi nuk ka qenë në banesë, për shkak se ishte në një aktivitet politik të Frymës së re Demokratike në Çorovodë, kryeqendra e Skraparit, jashtë vilës kanë dalë familja e tij, bashkëshortja dhe dy vajzat, të cilat kanë qenë tepër të shqetësuara për këtë incident të pazakontë jo për një ish-president por dhe për një qytetar të thjeshtë, për shkak se kjo zonë është shumë e banuar dhe nuk mund të jetë kurrsesi një qendër stërvitje e helikopterëve ushtarakë.

Banorët e zonës përreth na bëjnë me dije se kanë qenë tepër të shqetësuar nga zhurma e helikopterit, duke bërë që ata të dalin e të shohin mjetin luftarak të ushtrisë mbi vilën e ish-presidentit Topi, shumë afër bahçes së tij, mbi 5 metra mbi nivelin e saj, duke dridhur zonën përreth.

Të alarmuar familjarët janë interesuar për të ditur se cili është shkaku i qarkullimit të helikopterit ushtarak dhe qëndrimit të tij për shumë minuta mbi banesën duke terrorizuar banorët e zonës. Mësohet se nga Shtabi i Përgjithshëm i FS janë sqaruar se ka qenë një incident i njërit prej pilotëve të helikopterit dhe për përgjegjësin janë marrë masat përkatëse dhe se do të verifikohet më tej shkaku.

Shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne gazeten Shqiptarja.com(print) 16.03.2013

Redaksia Online
(b.m.shqiptarja.com)