Kreu i FRPD, cenohet procesi
zgjedhor në Korçë, fotografohet vota

Kreu i FRPD, cenohet procesi<br />zgjedhor në Korçë, fotografohet vota
TIRANE- Rivaliteti i shtuar dhe shpesh herë i shoqëruar nga tensione në  garën zgjedhore për kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ka bërë që kandidatët të kenë dyshime për votat reale të mbështetësve të tyre. Për t’i shuar këto dyshime është parë e udhës fotografimi i votës dhe hedhja e saj në rrjetet sociale. Konventa e djeshme zgjedhore e FRPD në Korçë ishte ndër përballjet më të forta nga 9 konventat e mëparshme, për shkak se fitorja lakmohej nga secili prej 3 kandidatëve. Por në kushtet e frymës së mosbesimit, ka bërë që kandidatët të jenë dyshues për votat e tyre, gjë e cila ka shtyrë simpatizantët të fotografojnë votat dhe t’i hedhin ato në rrjetet sociale si dëshmi se s’kanë “tradhtuar”.
 
Vota për Këlliçin
Në një kohë kur në Korçë votohej për kryetarin e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në profilin e Facebook të kandidatit Belind Këlliçi postohet fotografimi i një vote për të. Veprim i cili është pritur me kritika të ashpra nga komentuesit të cilët e quajnë gjestin e një prej simpatizantëve të Këlliçit si të nxituar dhe cenim të procesit zgjedhor. Kjo “gafë” është thikë me dy presa, pasi jo vetëm cenon hapur procesin zgjedhor të FRPD, i cilësuar nga kryetari Basha si një moment i rëndësishëm për respektimin e parimeve dhe vlerave demokratike, por njëherazi konfirmon edhe “përplasjen” mes kandidatëve, duke bërë që kjo garë të jetë vërtetë e pashembullt edhe në aspektin negativ. Megjithatë, nisur nga qëndrimi i hapur kritik i dhjetëra komentuesve, kandidati për FRPD, Belind Këlliçi e ka fshirë foton e postuar në profilin e tij të Facebook. Fotografimi i votës gjatë procesit të votimit është një fenomen i njohur tashmë, por që një gjë e tillë të zërë vend edhe në garat e brendshme të partive politike, aq më tepër për forumet rinore, është e paprecedentë.
 
Fiton Salianji
Pas Krujës, kandidatin për kryetar të FRPD, Ervin Salianji ka regjistruar një fitore të thellë edhe në Korçë. Në Konvetën e zhvilluar dje në qytetin juglindor, kanë votuar më shumë se 600 të rinj të Forumit Rinor demokrat. Pas debateve mes kandidatëve dhe votimit të anëtarësisë, Ervin Salianji ka marrë 381 vota, Belind Këlliçi 144 dhe Oriela Nebijaj 15 vota. Kjo është fitorja e dytë radhazi e Salianjit i cili ngushton rezultatin në rang kombëtar në vetëm 18 vota, nga rreth 400 vota më pak që kishte dy ditë më parë. Konventa e Korçës u përshëndet nga i ngarkuari i kryesisë së Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili falenderoi të rinjtë demokratë për angazhimin e tyre. Ai i ftoi ata të japin kontributin për të ardhmen e e tyre dhe të vendit. Të tre kandidatët debatuan për pyetjen “Çfarë do të bëni ju në drejtimin e Forumit”, duke dhënë mendime dhe alternativa të ndryshme për strukturën organizative mes të rinjve, për qasjen që duhet të ketë forumi ndaj problematikave të të rinjve si dhe për përmbushjen e kërkesave të tyre për një shkollim më të mirë dhe për punësim. Pas konventës së Korçës, të tre kandidatët do të zhvillojnë sot debatin e Kurbinit.
 
Fotografimi
Në profilin zyrtar të Facebook të kandidatit Belind Këlliçi është postuar dje e fotografuar vota në favor të tij, nga një prej mbështetësve. Ky veprim është pritur me kritika, duke e parë si cenim të zgjedhjeve
 
Zgjedhjet
Në Konvetën e zhvilluar dje në Korçë, fitues është shpallur Ervin Salianji me 381 vota, i ndjekur nga Belind Këlliçi me 144 dhe Oriela Nebijaj me 15 vota. Sot zhvillohet Konventa e FRPD në Kurbin
 
 Kërcënohet kryetarja e FRPD Lezhë: Do largohesh sapo të zgjidhet Këlliçi
Kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Lezhë, Alfrida Dedgjonaj, është kërcënuar me anë të një mesazhi të mbërritur në llogarinë e saj në “Facebook”, nga një adresë anonime. Në mesazh, thuhet se nëse Këlliçi zgjidhet në krye të Forumit, atëherë ajo do të jetë e para që do të largohet nga drejtimi i FRPD-së në Lezhë. Personi, i cili ka dërguar mesazhin, është identifikuar si një prej mbështetësve kryesorë të Këlliçit. Vetë kryetarja e FRPD-së në Lezhë, Alfrida Dedgjonaj ka thënë se kjo frymë përjashtimi që ndiqet nga njëri prej kandidatëve për FRPD, sjell përçarjen e të rinjve demokratë.

 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E konfirmon trajneri, Ardian Ismajli lë Empolin në janar! Juventus dhe Napoli në garë

E konfirmon trajneri, Ardian Ismajli lë Empolin në janar! Juventus dhe Napoli në garë