Kreu i Kuvendit Niko Peleshi dënoi aktet e dhunës gjatë protestës para Kuvendit, duke i cilësuar të papranueshme sulmet ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve dhe institucioneve publike.

Përmes një postimi publik, Peleshi theksoi se e drejta për të protestuar është themelore, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore, ndërsa shtoi se dhuna cenon sigurinë e njerëzve dhe vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia.

"Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve të Kuvendit apo institucioneve publike. Shqipëria ndërtohet mbi dialogun, respektin për ligjin dhe institucionet, jo mbi përplasjen. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Kur protesta shndërrohet në dhunë ndaj njerëzve, cenon jo vetëm sigurinë e tyre, por edhe vetë vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia. Solidaritet i plotë me efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim sa më të shpejtë. Të papranueshme sulmet ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Asgjë e mirë nuk ndërtohet prej dhunës dhe kaosit" shkroi ai


Lajmi kryesor:

REAGIMET/ Rama: Protesta e atdhedashurisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të dhunës! Lamallari: Sulm ndaj shtetit! Berisha dënon policinë