TIRANE- Rumania i jep mbështetjen Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit europian, sidomos pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për t’i dhënë vendit statusin e vendit kandidat, si dhe integrimit të saj në NATO. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Parlamentit të rumun, Valerius Stefan Zgonea, gjatë takimi me kreun e Kuvendit shqiptar, Ilir Meta.

“Rumania është një vend që mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Është një shenjë e qartë për vendin tuaj që është në rrugën më të mirë në lidhje me përparimin e axhendës europiane. Ndërsa progreset të cilët ka bërë Shqipëria në fushën e drejtësisë, në reformat parlamentare dhe të administratës publike janë prova, që rruga, në të cilën ju keni filluar është një rrugë e pakthyeshme. Për më tepër më lejoni si politikan i një vendi europian t’ju përgëzoj ju dhe të gjithë shoqërinë shqiptare për transferimin e pushtetit që u bë këtë vjeshtë, në mënyrë demokratike me zgjedhje të lira dhe korrekte.

Është një element thelbësor, i cili korrespondon me konvergjencat e aderimit në familjen evropiane, dhe vendi mik i juaji, Rumania, i vlerëson jashtëzakonisht shumë. Dhe një herë zoti Kryetar, zonja dhe zotërinj dua të rikonfirmoj gatishmërinë e Rumanisë, Parlamentit të Rumanisë, dhomës së deputetëve, i cili sot gjendet këtu për një vizitë zyrtare me një delegacion shumë konsistent, për të vazhduar të  mbështesë  Republikën e Shqipërisë në integrimin e saj në strukturat euroatlantike dhe europiane”, u shpreh Zgonea.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit të Shqipërisë u ndal tek marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne kemi rënë dakord për të intensifikuar më tej të gjitha shkëmbimet parlamentare në të gjitha nivelet, në nivel komisionesh parlamentare, të grupeve reciproke të miqësisë dhe bashkëpunimit dhe të rrisim kontributin edhe në aspektin parlamentar për sa i takon nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve”, tha Meta.
Në mënyrë të veçantë, Kryetari Ilir Meta dhe Kryetari i Parlamentit të Rumanisë, Zgonea u ndalën në çështjen e Njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Rumania. Njohja nga ana e Rumanisë, u shpreh Meta do të forconte stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Rumani ka treguar kohët e fundit një pozicion konstant së bashku me vendet e tjera europiane, nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Rumanisë dhe Kryeministri i Rumanisë mbështesin dialogun Prishtinë- Beograd deri në nivel parlamentar. Pikëpamja europiane është dhe pikëpamja e Rumanisë”, tha Zgonea.

Kryetari i Parlamentit të Rumanisë, Zgonea tha “Pas vitit 2006 është vizita e parë zyrtare e një kryetari të Parlamentit të Rumanisë, si dhe është një nder për mua që jam Kryetari i dytë i Parlamentit që vizitoj sot Shqipërinë, pas zotit Frankule”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)