Kryetari i Partisë Demokratike në Fier, Agron Kapllanaj ka ironizuar Sali Berishën, pas anti-mitingjeve që ky i fundit ka thirrur kundrejt Lulzim Bashës, teksa zhvillon takime me strukturat.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kapllanaj thekson se Berisha do të mbahet mend si një nga personat e shpallur non-grata për korrupsion dhe se merr 10 njerëz në telefon duke i detyruar të bëjnë antimitingjet si në kohën e Ramiz Alisë.

‘Plaku i padëshëruar non-grata, me një grusht të vogël njerëzish, po bëhet gazi i botës duke bërë gjithçka që të vendosë disa njerëz të gënjyer përballë demokratëve që kanë vendosur të shohin nga e ardhmja jo nga e shkuara. Por më kot e ka Sali Berisha që merr në telefon 10 njerëz e i detyron të bëjnë antimitingjet si në kohën e Ramiz Alisë. Por ai është vetëm një e shkuar e keqe për PD-në dhe gjithë shqiptarët, dhe emri i tij do mbahet mend si një nongrata për korrupsion.’, shkruan Kapllanaj.

Mbështetësit e Lulzim Bashës si dh mbështetësit e Sali Berishës tashmë prej ditësh po përplasen edhe në terren, duke krijuar tensione mes tyre. Mbështetësit e Berishës, janë shfaqur vazhdimisht në mitingjet e Lulzim Bashës, duke kundërshtuar kreun aktual të PD-së dhe duke i kërkuar largimin dhe lirimin e selisë.