“Ne vlerësojmë shumë angazhimin dhe vullnetin tuaj për të zgjidhur çështjet që shqetësojnë vendin. Ju përgëzojmë për të gjitha reformat e ndërmarra deri më tani dhe ju inkurajojmë të vijoni me to, si mënyra e vetme që do t’ju çojë drejt integrimit në BE. Dialogu me opozitën është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet dhe për të punuar në të mirë të qytetarëve tuaj”. Kështu u shpreh Kryetari i Senatit të Polonisë, Stanislaw Karczewski në një takim me një grup deputetësh shqiptarë.
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli së bashku me kryetarin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja dhe kryetaren e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Poloni, Evis Kushi janë duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Varshavë.
Në ditën e parë të vizitës delegacioni parlamentar shqiptar u prit nga Kryetari i Senatit të Polonisë, Stanislaw Karczewski i cili rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij në rrugën evropiane të Shqipërisë.
Kryetari Karczewski vlerësoi lidhjet tradicionalisht të hershme mes dy vendeve e shprehu kënaqësinë për rritjen e kontakteve parlamentare duke vlerësuar rolin e diplomacisë parlamentare.
Nga ana e saj Kodheli falenderoi Kryetarin Karczewski për mbështetjen e dhënë ndër vite dhe bëri një paraqitje të situatës politike në vend. Ajo foli për reformën në drejtësi, duke nënvizuar rëndësinë e saj për të ardhmen e vendit.
“Ne kemi ndryshuar Kushtetutën sepse e konsiderojmë thelbësore realizimin me sukses të kësaj reforme. E dimë se nuk është e lehtë, por jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund. Pikërisht kjo është ajo, të cilës opozita i druhet”, tha Kodheli.
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme vlerësoi bashkëpunimin me Poloninë në kuadër të bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, duke përmendur OSBE-në dhe mbështetjen që ajo i ka dhënë kandidaturës së Shqipërisë.
Ajo nënvizoi se kjo vizitë do ti shërbejë intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit me grupin e miqësisë Poloni-Shqipëri, kryetari i saj Tomasz GlogoWski tha se shpresonte që KE të marrë një vendim të arsyeshëm dhe të guximshëm në lidhje me Shqipërinë. “Sipas nesh vendimi i qershorit është një provë e fortë për Bashkimin Evropian për të treguar se është ende aktiv dhe se vijon të jetë një projekt i gjallë. Mendoj se është një shenjë vlerësimi dhe se Shqipëria e meriton, për më tepër që mund të cilësohet dhe si një test besueshmërie për të gjitha ato që ka deklaruar BE”, u shpreh ai. Duke vijuar ai falenderoi për mikpritjen që gjetën në Shqipëri gjatë vizitës së tyre vitin e kaluar dhe tha se është mëse e mirëkuptueshme rritja e numrit të turistëve polakë që vizitojnë Shqipërinë.
Evis Kushi, kryetarja e grupit të miqësisë Shqipëri-Poloni gjatë fjalës së saj u ndal tek gatishmëria dhe vullneti maksimal i vendit tonë për të intensifikuar marrëdhëniet në fushën ekonomike, atë të tregtisë, turizmit si dhe atë të arsimit. Ajo gjithashtu ftoi investitorët polakë të vizitojnë Tiranën por edhe qytetet e tjera të Shqipërisë për të eksploruar mundësitë e investimit.
Kodheli theksoi nevojën për dialog me opozitën për të ardhmen e vendit, por nga ana tjetër nënvizoi gatishmërinë e mazhorancës për të vijuar qeverisjen e vendit.