Kreu i shoqatës: Delia ka mbrojtjen e shtetit

Kreu i shoqatës: Delia ka mbrojtjen e shtetit
Arrestimi në Itali i Cukal Delisë ose Marash Cukalit, pasi ai njihet me dy emra, i dënuar në mungesë me 25 vjet burgim për tragjedinë e 9 janarit në Karaburun, shihet me mosbesim nga familjarët e viktimave të kësaj ngjarjeje. Nikoll Mhillaj, i cili drejton edhe shoqatën e familjarëve të tragjedisë së 9 janarit, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" shprehet se arrestimi i Delisë është lojë e politikës. "Ai ka mbrojtjen e shtetit, ndaj është lënë i lire të shkojë nga të dojë këta 8 vjet. Ne nuk kemi punë me të dënuarit e tjerë, por vetëm me Cukal Delinë pasi ai i ka marrë fëmijët tanë, atij ja kemi dorëzuar. Unë e bëra djalin 20 vjeç, ma vodhën, më mashtruan dhe ma mbytën në Karaburun", shprehet Nikolë Mhillaj.

Është njoftuar nga mediat se në Udine të Italisë është arrestuar Cukal Delia i dënuar nga gjykata e Vlorës me 25 vjet për tragjedinë e 9 janarit 2004 ku humbi jetën dhe djali juaj Maringleni. Ju drejtoni dhe shoqatën që kërkon të vërtetën e kësaj ngjarjeje.Si e gjykoni arrestimin e Delisë?
Atë e kanë arrestuar në Itali, pasi ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli dhe e ka arrestuar policia italiane. Po të kishte qenë për shtetin tonë do të ishte arrestuar më parë. Por Cukal Delia a Marash Cukali se njihet me dy emra, madje dhe në gjyq i dilnin emrat ndryshe, ka mbrojtjen e shtetit. Por ai ka punë me ne se ai na i ka mbledhë fëmijët. Ka 8 vjet që ka ndodhë ajo ngjarje me 28 viktima dhe ky person me dy emra njihet këtu, por mund të ketë dhe të tjerë dhe ka 8 vjet që nuk zbatohet vendimi i gjykatës.

Përse thoni se ka lidhje me shtetin, ku e mbështesni këtë?
Një tjetër i dënuar me 25 vjet me burg për ngjarjen e 9 janarit 2004, Nazmi Hyka është arrestuar tre herë. Prashteti e kap dhe e lëshon,pastaj e arreston prapë. Pra janë lojëra të politikës nuk kishte pse arrestohej tre herë se kapej e çohej në burg. Por unë nuk kam punë me këtë as me tjetër person, por vetëm me Marash Cukalin. Ai ka lidhje me shtetin, me policinë, me deputetë e ministra të atëhershëm dhe këta e mbrojnë. Atë ditë që kam nisë djalin, që ja kam dorëzuar Cukal Delisë më ka thënë se këta njerëz janë të sigurtë se i nisi përmes policisë, me gomone por të shoqëruar me polici shqiptare e italiane. Por ato i zhdukën. Kjo të bën të dyshosh se ai ka lidhje me shtetin dhe ky nuk e ka arrestuar për 8 vjet. E kanë kapë italianët. Dyshoj se kur të ekstradohet në Shqipëri do e lëshojnë se ka lidhje me shtetin.

A keni ndonjë fakt tjetër ku të mbështetet ajo që ju thoni se ai ka lidhje me shtetin?
Marash Cukali apo Cukal Delia nuk është marrë asn jëherë në pyetje, nuk ka dëshmuar askund për këtë ngjarje por është dënuar në mungesë. Në qoftë se shteti do që të merret seriozisht me nxjerrjen e së vërtetës për këtë ngjarje, atëherë Cukal Delija duhet pyetur në hetuesi. Ne duhet të ballafaqohemi me të. Nuk njohim person tjetër, vetëm ky na i ka marrë fëmijët. Unë jam gati t'i them në sy se ka qenë ai që më ka thënë që djalin ta çoj në Itali me polici. Më ka dhënë këtë premtim dhe më ka borxhin. Në qoftë se Cukal Delia tregon kush e ka pre në besë dhe ja shkarkon fajin dikujt tjetër, atëherë ne do e gjykojmë se kush e ka fajin më të madh. Ai nuk e ka bërë këtë, është dënuar në mungesë dhe këtu ka dorë politika, ai ka mbrojtje dhe pse ka kryer një krim antinjerëzor. Unë sa të jem gjallë do të kërkoj të dale e vërteta.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre