Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka përjashtuar mundësinë për të kandiduar për kreun e FIFA-s, por ka paralajmëruar Gianni Infantinon se nuk ka më mbështetjen e botës së futbollit.
Në një intervistë për podkastin “The Rest is Politics”, Ceferin theksoi se dëshiron të vijojë punën në krye të UEFA-s dhe se nuk e sheh veten në garë për presidencën e FIFA-s.
“Nuk jam i interesuar për dy arsye. Njëra është se e dua UEFA-n dhe më pëlqen të punoj këtu. Mendoj se në një moment të caktuar është koha të shijoj edhe pak jetën”, u shpreh 58-vjeçari.
Ai shtoi se qëndrimi i tij jashtë garës i jep edhe më shumë besueshmëri deklaratave të tij.
“Besueshmëria ime është shumë, shumë më e lartë nëse nuk jam i interesuar për këtë pozicion”, tha Ceferin.
Kreu i UEFA-s foli edhe për situatën e presidentit të FIFA-s, i cili është përballur me kritika lidhur me planet për sigurimin e investimeve private në turnetë e organizatës.
Sipas Ceferinit, Infantino përballet me dy alternativa, të largohet ose të rikthehet në garën elektorale në mars, ku mund të ketë një kandidat që do ta sfidojë.
“Ka dy mundësi. Njëra është që ai të kuptojë se nuk ka mbështetjen... Dhe mundësia e dytë është që të shkojë në zgjedhjet e marsit. Por në atë rast, mendoj se do të ketë një kandidat kundër tij. Nuk e di ende se kush”, deklaroi ai.
Ceferin pranoi se situata mund të ndryshojë nga dita në ditë dhe bëri të ditur se nuk ka komunikuar me Infantinon që prej nisjes së polemikave.
Presioni ndaj presidentit të FIFA-s është rritur ndjeshëm pas kundërshtimeve ndaj planeve të tij për investime private në aktivitetet e organizatës, përfshi turneun e Kupës së Botës, ndërsa UEFA ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj këtyre nismave.




Komente
Komento