Një përplasje që nisi në një kafene në qendër të Skënderajt po trazon politikën e së enjtes në Kosovë. Akuza për dhunë fizike, “bandë”, provokim politik dhe ndërhyrje truprojash kanë shpërthyer sot mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku. Në qendër të incidentit është Hysni Mehani, kryetar i VV-së në Skënderaj dhe zëvendësministër i Financave, i cili pretendon se është sulmuar fizikisht nga Lushtaku dhe shoqëruesit e tij në kafeterinë “Solo”.

“Të  dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbrojë familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje ”, shkroi Mehani në rrjete sociale. 

Pak më vonë reagoi edhe Vetëvendosje, e cila publikoi foton e Mehanit ku ai duket i përgjakur dhe e përshkroi ngjarjen si “sulm brutal”. Sipas versionit të partisë, Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të VV-së kur fillimisht është goditur me grusht dhe më pas me gotë në kokë.

VV-ja pretendon se gjatë përplasjes është sulmuar edhe sekretari i degës në Skënderaj, Bahri Zabeli, i cili kishte tentuar të ndërhynte për të shmangur eskalimin.

“Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Ky sulm fizik banditesk tregon qartë pse këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucioneve publike”, deklaroi partia, duke kërkuar reagim urgjent nga drejtësia dhe distancim të PDK-së.

Por krejt ndryshe e paraqet ngjarjen Sami Lushtaku. Kryetari i Skënderajt pretendon se objektiv i provokimit ishte ai dhe akuzon drejtpërdrejt pushtetin e Albin Kurtit.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skënderaj”, shkroi Lushtaku.

Ai reagoi edhe ndaj etiketimeve politike që, sipas tij, po përdoren prej kohësh ndaj tij.

“E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, deklaroi ai.

Deri tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje zyrtare për rastin. Megjithatë në rrjet janë publikuar video të ndryshme që pretendojnë të kenë filmuar konfliktin. 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    Debati për integrimin, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?