TIRANE - Historia e largët dhe e afërt fsheh gjithnjë të papritura, që zbardhen një ditë. Themelimi i PD ka nisur të hyjë në radhën e enigmave, ndonëse pjesa më e madhe e themeluesve janë gjallë, në PD ose jo. Kështu më 12 dhjetor, në mitingun ku u shpall krijimi i PD, Berisha pasi vlerësoi "komandantin legjendar" Ramiz Alia i uroi rinisë suksese në rrugën për demokracinë duke nënvizuar dy herë se "mbetet mik i PD". Pra që nga ajo ditë dhe deri vitin e kaluar publiku shqiptar dhe vetë Berisha festonin themelimin e PD më 12 dhjetor, një fakt i pakontestueshëm që vertetohet përmes dhjetra dokumentesh dhe materialesh që gjenden në arkivat e PPSH por dhe të tjera.

Themeluesit e quajtë të drejtë dhe festën e 8 dhjetorit, si data e fillimit të protestave, ku rinia studentore u ngrit me kërkesa që ndryshonin dora dorës çdo ditë nga ekonomike në politike, që sollën lajmin e pluralizmit politik nga PPSH, një akt i detyruar ky për Ramiz Alinë me sa duket dhe nën presionin e perëndimit, në radhë të parë të SHBA për të bërë ndryshimet politike dhe për të mos pasur fatin e Çausheskut që refuzoi ti bënte këto ndryshime në Rumani. Sigurisht që ndikoi dhe falimentimi i ekonomisë shqiptare. Data 11 nëntor mund të jetë një datë e veçantë, si data kur u shpall pluralizmi, por kjo datë me sa duket ishte një ëndërr e kahershme për ta pasur si datë themelimi të PD.

Këtë vit pati një tentativë të Berishës, ishte vetëm në "facebook" për të thënë se PD u krijua në mesnatën e 11 dhjetorit 1990, pa e përmendur orën. Ish-themeluesit thonë se Berishës i duhet 11 dhjetori si ditë themelimi të PD dhe jo 12 dhjetori, që me sa duket është një ditë jo fort e përshtatshme për të, që e ka vuajtur 22 vjet për këtë datë. Ata që kanë qënë për shumë kohë pranë tij thonë se ka tentuar dhe herë të tjera, më fort në vitin 1996, për të zhvendosur datën e themelimit më 11 dhjetor, por nuk e kanë lejuar. Ndaj e ka festuar gjithnjë me 12 dhjetor. Festimet e këtij viti ishin një tentativë e ndrojtur, pasi mediat afër tij dhanë lajmin se do të bëheshin festimet një ditë më parë, më 11 dhjetor për shkak se do të shkonte në Bruksel në takimin e PPE e për të marrë ndoshta dhe ndonjë lajm të mirë për statusin e vendit kandidat.

Më 11 dhjetor ka dokumentacion të plotë ku jepet fjalimi i Ramiz Alisë në Byronë politike e në KQ të PPSH si dhe vendimin përkatës për pluralizmin. Më 12 dhjetor një grup studentësh e intelektualësh u mblodhën dhe vendosen krijimin e PD si e para parti opozitare antikomuniste në Shqipëri. Në këto vite ka variancione të ndryshme të të vërtetave për themelimin e PD nga themeluesit, në varësi të konjukturave politike dhe rreshtimeve politike të secilit prej tyre. Pra është e qartë se PD është themeluar më 12 dhjetor, që Sali Berisha nuk ka qënë pjesë, madje ka qënë kundër dhe është bashkuar me ta të nesërmen në mëngjes, thonë ish-themeluesit. Megjithatë historia mbetet të shkruhet duke thënë të vërtetat e që e dëshmojnë fakte e dokumente të prekshme për cilindo dhe jo vetëm me kufizime, të cilat harresa në kohë i ndryshon, në mos vetë për interesat të caktuara politike. 12 dhjetort sipas dhjetoristëve, mbetet dhe do jetë një datë e shënuar në historinë e Shqipërisë, në rrugën e gjatë dhe të vështirë për jetësimin e dy parullave kryesore të mitingjeve të atyre ditëve: "Liri-Demokraci" dhe "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa".

Kërkuam nga shumë themelues të PD një mendim në lidhje me të gjithë këto elementë që janë përmendur ndër vite, por dhe nga ana e gazetës sonë si dhe për datën e vërtetë të themelimit të PD dhe vetëm ish-kryeministri Aleksandër Meksi njëri ndër kryesorët në themelimin e PD na u përgjigj, por shumë shkurt: "Data 12 dhjetor është një datë shumë e rëndësishme për gjithë shqiptarët e gjithnjë emocionohem kur dëgjoj kasetat që kanë të regjistruar mitingun e ditës së themelimit të PD".

SI U KERKUA TE ZBATOHEJ POROSIA E RAMIZ ALISE
Eshtë folur shumë nga ish-themeluesit e PD se Ramiz Alia ishte njeriu që krijoi të parën parti opozitare PD, duke dërguar emisarët e tij atje dhe më pas duke i vënë në krye të saj. Të gjithë ata që themeluan këtë parti kishin kërkuar parti, madje me emër PD. Por shumë pjesmarrës të mitingut pas leximit të regjistruar të bisedës me Ramiz Alinë, të cilën dhe kur është dëgjuar në një kohë të vonë në media, kanë vertetuar se Imami ka thënë se "kush do parti tjetër, të shkojë në një vend tjetër".

Pasi mësohen këto detaje, është lehtësisht e kuptueshme se ata që themeluan PD më 12 dhjetor, ndërmorën një hap në kundërshtim me porositë e Ramiz Alisë për një organizatë të studentëve dhe intelektualëve të rinj, për të cilën kishte filluar përgatitja që më parë, madje ishte hartuar dhe lista e aderimit ku kishin firmosur dhe shumë pedagogë. Ndërkohë që ata që shkruajtën programin minimal të PD, njoftuan shqiptarët dhe botën për krjimin e kësaj partie, përmes një mitingu me të vërtetë madhështor që u mbështet nga studentët e shqiptarët.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)