Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, vendosi konfiskimin e një shume prej 850 mijë eurosh, në favor të shtetit shqiptar, të cilat janë gjetur në llogarinë bankare të shtetases Rovena Kalemi. Kjo e fundit sipas prokurorisë nuk ka mundur të justifikojë burimin e ligjshëm të të ardhurave të saj. Ndërkohë origjina e vërtetë e tyre dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti kriminal i prostitucionit në Belgjikë.

Hetimi ka vërejtur transaksione të shpeshta bankare në Zvicër, Luksemburg, Gjermani dhe Shqipëri të këtyre sasive të konsiderueshme të parave. Hetimi ka nisur në prokurorinë e Durrësit me dyshimin e pastrimit të parave nga tre persona, dy prej të cilëve shqiptarë dhe një infermier belg, kanë qarkulluar në verën e vitit 2014 rreth 2 milionë euro në llogaritë e tyre.

Një nga përfitueset Rovena Kalemi kishte marrë prej mikut të saj nga Brukseli, Eric Nyssen shuma të konsiderueshme parash, me qëllim blerjen e një apartamenti të përbashkët dhe hapjen e një biznesi privat. Kalemi dhe Nyssen ishin njohur në Belgjikë dhe kishin të vendosur të bashkëjetonin në Shqipëri. Duke qenë se Kalemi nuk kishte llogari bankare i ka kërkuar që paratë t’ia hidhte në llogarinë e një mikut të saj shqiptar me inicialet B. C. Infermieri belg këto para i ka justifikuar si trashëgimi nga familja dhe aktivitete tregtare në Belgjikë.

Pas hetimeve të kryera, është konfirmuar se paratë kanë ardhur nga rrugë të paligjshme të prostitucionit. Paratë e fituara nga ky treg vendoseshin në llogarinë e shtetasit belg, Nyssen, i cili më pas i përcilltë në Shqipëri, nëpërmjet transfertave bankare, fillimisht në adresë të një personi në Durrës që më pas i kalonte tek Rovena Kalemi. Kjo e fundit, një pjesë të parave që i mbërrinin në llogarinë e saj, i kryente menjëherë transfertë në llogaritë bankare të disa familjarëve të saj në bankat e Luksemburgut.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)