TIRANË - Rritja e krimeve kompjuterike, ndërhyrja në rrjete informatike ka bërë që Policia e Tiranës të bëjë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të denoncojnë rastet.
 
Në një deklaratë për median, policia thotë se, ka hapur një website dhe disa profile në rrjetet sociale ku mund të bëhen denoncime.
 
“Duke analizuar tendencat e krimeve kompjuterike në Shqipëri, për të parandaluar organizatorët apo (hakcerat) e institucioneve të ndryshme financiare, dhe ndërhyrjeve të paautorizuara në rrjete, kërkojmë nga ana Juaj bashkëpunimin për të denoncuar në kohë këtë fenomen, në strukturat tona të Krimeve Kompjuterike, në rastet e ndërhyrjes së sistemit tuaj kompjuterik”, bën të ditur Policia e Tiranës.
 
“Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka hapur një website të saj si dhe disa rrjete sociale në internet, ku mund të na gjeni  www.tiranapol.org apo FanePage Drejtoria e Policisë –Qarku Tiranë”, thuhet në deklaratën e bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarku Tiranë.
 
Për këtë qëllim, Drejtori i Policisë së Tiranës, Drejtues Ardian Çipa, ditën e hënë në datën 28 Prill 2014 ora 11:00 do të zhvillojë një takim me pjesëmarrjen e rreth 100 studenteve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit.
 
TEMAT QË DO TË DISKUTOHEN GJATË TAKIMIT:
Shkëmbimi i ideve midis të rinjve dhe policisë,

Çështje që shqetësojnë të rinjtë,

Forcimi i bashkëpunimit polici -komunitet – arsim,

Evidentimi i problematikave dhe marrja e masave për zgjidhjen e tyre,

Gjetja e rrugëve të zgjidhjes së problemeve bashkërisht,

Vlerësimi i ideve të studentëve dhe aplikimi i tyre për zgjidhjen e problemeve.

Planifikim më efikas dhe eficent i shërbimeve të policisë në funksion të parandalimit të krimit.

Afrimin e Publikut tek Policia si një shërbim policor dhe jo forcë policore.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)