Në muret e sallonit të ish-Vilës së diktatorit, janë varur 171 imazhe. Portreti i Enver Hoxhës, pasohet nga burra e gra që kanë dënuar, burgosur e deri edhe ekzekutuar qindra viktima të komunizmit. Një broshurë lidh imazhet me funksionin e tyre, dhe ekspozimi në këtë vilë, nuk është rastësi. Por nuk është as e lehtë, për ish të dënuar a familjarë, që të ngjisin shkallët e kësaj vile, qoftë edhe për këtë ekspozitë.

“Kjo shtëpi, në të cilën ka jetuar diktatori, mbase do të ishte koha që ta mendonim për ta kthyer atë në një muze të posaçëm të diktaturës” - thotë Godole, drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Udhëheqës të lartë si Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu  apo Hysni Kapo, gjenden në vilë përmes portreteve të varura e me një tjetër status. Mes të gjallëve dhe imazhi i Edmond Cajas. Demokracia, thotë studiuesi Çelo Hoxha nuk mundi t’u kërkojë fajtorëve llogari për viktimat.

"Të lë përshtypjen sikur krimet që kanë ndodhur, janë pasojë e dukurive natyrore. Ndërkohë që ka persona përgjegjës. Nuk është çështja, që vetëm të dimë për krimet, por të ketë edhe qëndrim ndaj autorëve të krimeve”, thotë studiuesi Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Ditët e kujtesës vijojnë... Ekspozita e organizuar nga nga IDMC dhe ISKK do të jetë e hapur deri të mërkurën në orën 19:00.