Kryesuesi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori, Jan Claude Schlumaerger, tha se "njerëzit e përfshirë në tre sektorët të krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, droga dhe armët, bashkëpunojnë pa u penguar nga gjykimet, paragjykimet etnike, politike dhe procedurat burokratike dhe duket se ato po veprojnë më me efikasitet se sa organizatat që mundohen që t'i ndalojnë ato".
Sipas tij, kjo qasje duhet të ndryshohet.
"Vitet e fundit, shumica e qeverive në rajon kanë bërë përpjekje në shkalla të ndryshme që ta përmirësojnë legjislacionin e tyre, t'i referojnë agjencitë e tyre mbi zbatimin e ligjit dhe të krijojnë rrjete rajonale të krimeve të organizuara. Policia e Kosovës ka shënuar progres të konsiderueshëm viteve të fundit dhe ka arritur që të zhvillojë një varg operacionesh kundër krimit të organizuar duke konfiskuar mallra të dyshimta duke arrestuar të pandehur dhe duke shtuar përpjekje për të luftuar krimin e organizuar", nënvizoi Schlumaerger.
Ai tha se sukseset e një agjencie të zbatimit të ligjit vetëm sa i detyrojnë kriminelët që të gjejnë rrugë të tjera, prandaj bashkëpunimi rajonal është bërë kyç për të pasur sukses efektiv në luftimin e krimit të organizuar, duke thënë se sa më shumë që bashkëpunojnë do të bëhen më të aftë për të ndaluar krimin e organizuar.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se" fenomeni i krimit të organizuar mbërthen në vete një mori sfidash për shoqërinë kosovare në përgjithësi, si dhe për mekanizmat e shtetit në veçanti".
"Policia e Kosovës, me qëllim ngritjen e efikasitetit në luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar ka punuar shumë në ngritjen e kapaciteteve të saj, duke përfshirë edhe themelimin e disa drejtorive të specializuara si drejtoria për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, drejtoria për mbrojtjen e dëshmitarëve, njësia për luftimin e krimit kibernetikë", tha Rexhepi.
Ndërsa, Naim Rexha, zëvendësdrejtor në Policinë e Kosovës, u shpreh se "është e domosdoshme rritja e bashkëpunimit rajonal në aspektin e bashkëpunimit bilateral midis shteteve".
Kryeprokurorja e prokurorisë speciale, Sevdije Morina, tha se "krimi i organizuar konsiderohet sikërcënim jo vetëm ndaj sigurisë së brendshme por edhe asaj ndërkombëtare"./ATSH/